Vijojnë ritet e zisë në Vatikan, vendprehja e Papa Françeskut hapet për publikun

Me hapjen për publikun, qindra besimtarë të vendosur në radhë në bazilikën e Santa Maria Maggiore zhvillojnë homazhe në vendprehjen e Papa Françeskut, ku një ditë më parë u zhvillua funerali privat.
Selia e Shenjtë publikoi fotot e shtëpisë së fundit të Papa Françeskut, ku tregohet një trëndafil i bardhë, një pllakë e thjeshtë prej guri ligurian, e gdhendur me emrin Franciskus dhe një dritë që ndriçon kryqin, një riprodhim me përmasa më të mëdha të kryqit që mbante Bergoglio.
Ndërkohë kjo e diel shënon ditën e dytë të Novemdiales, një traditë e lashtë që parashikon nëntë ditë zie dhe mbajtjen e meshave për Papën e ndjerë, të cilat pasohen me nisjen e procedurave për zgjedhjen e Papës së ri që do të drejtojë Vatikanin.
Paraditen e së hënës Kongregacioni i Përgjithshëm i Kardinalëve mblidhet për të vendosur datën e fillimit të Konklavës, procesit të zgjedhjes së Papës s ri, proces që mund të zhvillohet brenda 15-20 ditëve nga vdekja e Françeskut.
Konklava për zgjedhjen e Atit të Shenjtë duhet të caktohet mes datës 5 dhe 10 maj. Dje, kardinali Reinhard Marks, një nga tre kardinalët gjermanë që do të hyjë në Kapelën Sistine për të votuar për Papën e ardhshëm, tha se kishte ndjenjën se Konklava nuk do të zgjasë shumë.
Të shtunën mbi 250 mijë persona u mblodhën në sheshin e Shën Pjetrit për funeralin e Papa Françeskut dhe rreth 150 mijë të tjerë ishin vendosur përgjatë rrugës që përshkroi arkëmorti i tij për në bazilikën Santa Maria Maggiore.
Gazetare: Vjollca Zharri
/rtsh.al/