E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komuniteti Mysliman: Se prekim tokën e pronarëve

PROJEKTI FITUES I XHAMISE SE TIRANES I KOMPANISE BIG NGA KOPENHAGENI

Unike, dhe pa miratimin e Komunitetit zyrtar Mysliman Shqiptar, Edi Rama ka zgjedhur dje projektin danez të xhamisë së Tiranës.Konkursi mes 5 firmave ndërkombëtare ka përfunduar me zgjedhjen e variantit të “BIG” nga Kopenhaga, si modelin e ri të xhamisë.
Edhe pse gjatë prezantimit nuk u dhanë detaje teknike, të tre objektet, Xhamia, Qendra e Kulturës Islame dhe Muzeu i Bashkëjetesës Fetare do të ndërtohen sipas variantit danez. Në prezantimin e djeshëm, ranë në sy mungesa e përfaqësuesve zyrtarë të Komunitetit Mysliman, identiteti i jurisë që zgjodhi projektin, mungesa e të dhënave teknike dhe forma unike e Xhamisë së re.
Problemi i tokës
Edi Rama dhe, më vonë dje gjatë ditës, Bashkia, nuk sqaruan detaje teknike të projektit që u shpall fitues. Pra, nuk dihet sipërfaqja e tokës që do të zënë tri godinat, apo të paktën ajo e xhamisë për të cilën ka pasur dyshime dhe përplasje mes Komunitetit Mysliman dh Bashkisë. Sidoqoftë, duket se kreu i Bashkisë e kishte një zgjidhje për problemin e tokës; “Ne, jo vetëm që garantojmë se projekti i Xhamisë së Re dhe Qendrës së Kulturës Islame, janë konform Planit të Zhvillimit të Qytetit, por dhe konform të gjithë normave ligjore që kërkon ndërtimi i një godine, pa cenuar asnjë pronë dhe asnjë pronar. Ky ishte një sqarim i nevojshëm për opinionin publik”.
Prezantimi i Ramës
Pasi ka falënderuar firmat pjesëmarrëse, kreu i Bashkisë ka nënvizuar tri arsyet pse u zgjodh projekti danez. Duhet të theksoj tri aspekte të vlerësuara posaçërisht nga juria; Së pari, daljen e Xhamisë në shesh, pra krijimin e një hapësire, e cila përmbush nevojat e besimtarëve, për faljet e së premtes, krijimin e një hapësire që përmbush nevojat e besimtarëve për ditët e mëdha të vitit dhe krijimin e hapësirave që përmbushin nevojat e besimtarëve për faljet e përditshme”. Sipas Ramës, krahas këtyre funksioneve, krijohet një hapësirë e fituar publike për të gjithë qytetin dhe që krijon një lidhje harmonike midis objektit kult dhe Muzeut të ardhshëm të Tiranës dhe Bashkëjetesës Fetare, por edhe me vetë sheshin “Skënderbej”. “Kemi vlerësuar si një element shumë tërheqës dhe të rëndësishëm Kopshtin e Kuranit, krijimin e një kopshti rreth Xhamisë, që do të përmbajë të gjithë pemët dhe bimët e përmendura në Kuran, me një numër aq herë sa ato përmenden në Librin e Shenjtë të Kuranit dhe besoj se kjo është një vlerë e posaçme që ka propozimi dhe, së treti, kemi vlerësuar gjithashtu prirjen e qartë, për t’u orientuar drejt materialeve të vendit, drejt mundësive që ka sot vendi edhe në trajtimin e materialeve të ndërtimit dhe sigurisht kemi vlerësuar se kostoja e këtij projekti për Xhaminë nga njëra anë, dhe më tej për Muzeun, është një kosto e arsyeshme, që na jep mundësi të realizojmë atë që parashohim, pa pasur nevojë të ulim pritshmërinë ndaj projektit.” Sipas Ramës, funksioni i kompleksit do të jetë edhe për jo besimtarët. “Xhamia e Re dhe Qendra e Kulturës Islamike, së bashku me Muzeun, të jenë një pikë referimi për të gjithë qytetin dhe do të përbëjnë një hapësirë që i bashkon besimtarët dhe jo besimtarët, në një mjedis i cili do të jetë në dispozicion të komunitetit, për të gjitha nevojat e riteve fetare, por do të jetë njëkohësisht edhe në dispozicion të qytetit, si një hapësirë e cila afron komunitetin në tërësi.”
Juria pa Myslimanët
Në jurinë që zgjodhi firmën fituese, ra në sy mungesa e përfaqësuesve të Komunitetit Mysliman. Në juri ishin katër përfaqësues të huaj, respektivisht, Vedran Mimica, Peter Swinnen, Paul Böhm (Boehm), Enzo Siviero, ndërsa Bashkia përfaqësohej nga Edi Rama, përfaqësues i shoqërisë civile ishte Artan Shkreli, ndërsa vendi i përfaqësuesit të Komunitetit Mysliman ishte zënë nga ish-trajneri i kombëtares dhe i ekipit të Tiranës në vitet 1980, Shyqyri Rreli. Bashkia zyrtarisht u përgjigj se Rreli nuk përfaqësonte KMSH, por besimtarët myslimanë. Kjo juri zgjodhi projektin danez për Xhaminë e re të Tiranës. Ndoshta kjo ishte arsyeja që forma e Xhamisë së re ishte pak e habitshme për besimtarët myslimanë, aq më tepër që minarja, në rast se ishte ajo që paraqitet në foton e projektit, ishte më shumë si një obelisk, sesa si minare. Sidoqoftë, Rama premtoi një bashkëpunim tjetër me KMSH për numrin e minareve apo ngjyrave të mureve.

Lista e kompanive

ANDREAS PEREA ORTEGA
Madrid/ Spanjë

ARCHITECTURE STUDIO
Paris/ Francë

“BIG”
Kopenhaga/ Danimarkë

SEARCH
Amsterdam/ Holandë

ZAHA HADID Architects
Londër/ UK

Lista e jurisë

Edi Rama
Vedran Mimica
Peter Swinnen
Paul Böhm (Boehm)
Enzo Siviero
Artan Shkreli
Shyqyri Rreli*
*Në vend të Shyqyri Rrelit, duhet të ishte një përfaqësues i Komunitetit Mysliman, i cili mungoi.

1650 m2
Mendohet të jetë sipërfaqja e tokës që do të zërë ndërtimi i  Muzeut të Bashkëjetesës. Sipërfaqja e ndërtimit do të shkojë në 13 200 m2. Gjysma e kësaj sipërfaqeje pritet të jetë nën tokë

2500 m2
Pritet të jetë sipërfaqja e tokës që do të zërë ndërtimi i Xhamisë së re të Tiranës. E gjithë godina pritet të jetë 17 500 m2, nga të cilat 11 mijë metra do të jenë nën sipërfaqen e tokës

1000 mije
Është çmimi tavan që kishte vendosur Bashkia për koston e një metri katror ndërtim. Çmimi ishte për firmat që morën pjesë në konkurs, por edhe tavan për ndërtimin e xhamisë dhe Muzeut të ri

BIG: Ishte një surprizë, i kishim humbur shpresat

Dy përfaqësues të kompanisë daneze “BIG”, që u shpall fituesja e projektit më të mirë për Xhaminë e kryeqytetit, e konsideruan këtë lajm si të papritur. Liam Ross dhe kolegu i tij, gjatë fjalës përshëndetëse, pas shpalljes së fituesit nga kryebashkiaku Edi Rama, dhanë disa detaje për projektin, kompaninë dhe si e shihnin tani punën pas shpalljes së fituesit. “Historia e gjithë kësaj ngjarjeje është e jashtëzakonshme, sepse ne tashmë duke parë kohëzgjatjen e procesit, kishim filluar të merreshim në fazën emocionale duke menduar se kishim humbur, kjo është një surprizë shumë e bukur”, tha përfaqësuesi i kompanisë “BIG”. Sipas tij, projekti i prezantuar është në harmoni dhe në funksion të urbanistikës së qytetit. “Së pari kjo xhami do të ketë një funksion të veçantë në kompleksitetin e sheshit “Skënderbej” dhe ne jemi të lumtur për këtë gjë. E dyta, si gjëja më e rëndësishme në këto ditë, harmonia fetare, është një sfidë që të gjithë e përballojnë, duke mbështetur të tilla projekte dhe ide”, tha ai. Përfaqësuesi i “BIG” i mëshoi fort faktit që me përfundimin e kësaj Xhamie të re do të rivendoset edhe një herë bilanci i tri feve të ndryshme që jetojnë në harmoni në Tiranë, si ortodoksët, katolikët dhe islamikët. Studio “”BIG”", e shpallur fituese dje,  është një studio e re, e themeluar nga Bjarke Ingels në vitin 2006, por që tashmë ka në listën e saj të punëve objekte të njohura botërisht. “BIG” ka projektuar objekte të ndryshme duke filluar nga ato rezidenciale, projekte për muze, biblioteka, qendra kulturore e sportive. Eksperienca e studios shtrihet edhe në fushën e planifikimit urban.

Çfarë do shembet

Sipas maketit të paraqitur dje nga Bashkia, të tri objektet do të shtrohen nga fillimi i Disko Albania deri në fund te Hotel Mi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›