Ekzekutohet me thikë e plumba 28-vjeçari
LUSHNJË/ Gerti Lala është qëlluar 7 herë me thikë në trup e më pas është qëlluar me tre plumba në kokë
Burime nga policia bënë të ditur se sipas dëshmive, i riu është përleshur me autorët në hyrjen e pallatit
LUSHNJË - Ka mbetur i vdekur teksa është qëlluar me thikë e më pas me armë një 28-vjeçar, banor i lagjes "Skënder Libohova" në Lushnjë. Gerti Lala është vrarë në kohën që shkonte në shtëpi, në hyrjen e pallatit të tij, në orët e vona të mbrëmjes së të enjtes.
I riu është përcjellë për në banesën e fundit rreth orës 16:00 të pasdites së të premtes, ndërkohë që nga policia është bërë e ditur se në vendngjarje janë gjetur gjurmë të autorëve, që pritet t'i çojë tek ata. Dy fletë-arreste mësohet të jenë bërë gati, teksa pritet vetëm ekzekutimi.
Ngjarja
Mësohet se gjithçka ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së të enjtes. 28-vjeçari, banor në Lushnjë, ka qenë me shoqërinë e tij e rreth orës 23:00 është kthyer në shtëpi. Dyshohet se ai është ndjekur deri në momentin që ka hyrë në pallatin ku banonte.
Në sallën operative të Lushnjës është njoftuar një vrasje, ndërkohë që agjentë të policisë kanë vajtur në vendngjarje. 28-vjeçari Gerti Lala, sipas policisë, ka marrë në trup shtatë goditje me thikë, si dhe tre plumba, njëri prej të cilëve është marrë pas koke.
Sipas dëshmive të marra nga fqinjë dhe të afërm të viktimës, por edhe nga këqyrja e vendit të ngjarjes, mësohet se autorët e krimit janë më shumë se një dhe fillimisht ata janë përleshur fizikisht me viktimën.
Më pas është qëlluar me thikë e më tej nuk janë kursyer as plumbat. Dyshohet se kanë qenë dy persona, ndërkohë që këqyrja e vendngjarjes ka vijuar deri në zbardhjen e ditës së premte. Sipas burimeve nga policia, në vendngjarje janë gjetur objekte të lëna nga autorët, si një karikator, një dorashkë, si dhe dy gëzhoja. Dyshohet se arma e përdorur ka qenë me silenciator.
Policia
Pas ngjarjes, janë ngritur edhe pistat e para. Dyshimet kanë qenë edhe se Lala, i cili që i vogël thirrej me pseudonimin "Iriqi", ishte një pjesëtar i Bandës së Lushnjës.
Gjithsesi, burime nga policia bëjnë të ditur se nga hetimet e deritanishme, ngjarja nuk ka lidhje me bandën. Në komisariat janë shoqëruar disa persona, të cilët janë marrë në pyetje.
Dyshohet se ka qenë një konflikt mes 28-vjeçarit dhe autorëve që ka çuar në vrasjen e tij. Nga dëshmitë ka rezultuar se i riu është përleshur me autorët në hyrjen e pallatit dhe se grindja është dëgjuar nga fqinjët e tij, të cilët nuk kanë guxuar që të dalin dhe të shohin se ç'po ndodhte.
Mësohet se ka qenë nëna e të riut ajo që ka dhënë ulërimat e para kur ka dalë dhe ka parë të birin të përgjakur e më pas është njoftuar policia. 28-vjeçari Gerti Lala është vëllai i nënkryetares së bashkisë së Lushnjës.
Ai ishte djalë i vetëm, ndërkohë që babai i tij, shofer, kishte ndërruar jetë në kohën që djaloshi ishte vetëm 5 vjeç. Të afërmit shprehen se ai nuk njihej si person problematik. Në rrjetin social "facebook" në adresën me emrin e tij ishte shkruar shprehja "mendohu para se të veprosh".
Burime të pakonfirmuara nga policia bëjnë të ditur se autorët janë vendas dhe se janë bërë gati dy fletë-arreste të cilat pritet të ekzekutohen.