Xhelozia, 52-vjeçari vret bashkëshorten
SHKODËR/ Margarita Lekani ka gjetur vdekjen rreth orës 23:45 të së enjtes. Vihet në pranga 52-vjeçari Rrok Lekani
Vëllai i 41-vjeçares kishte kërkuar nga policia që të ndërhynte, duke paralajmëruar vrasjen e ndodhur
SHKODËR - Krimi në familje ka shkaktuar vrasjen e një 41-vjeçareje nënë e dy fëmijëve, ndërsa autor është bashkëshorti i saj i cili është ndaluar nga policia. Kjo e fundit ishte kontaktuar nga vëllai i viktimës pak para vrasjes që të ndërhynte për parandalimin, megjithatë një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Mësohet se ngjarja ka ndodhur në orën 23:45 në fshatin Aliaj në komunën Kastrat në Malësi të Madhe. Rrok Lekani, 52 vjeç, lindur në Vaun e Dejës, ka vrarë me armë zjarri automatik bashkëshorten e tij Margarita Lekani (Coli) 41 vjeçe, brenda në banesën e tyre.
Menjëherë pas krimit ai është larguar nga banesa, por policia është vënë në ndjekje të tij dhe pasi e ka rrethuar, pas disa minutash e ka prangosur. Autori i vrasjes e ka pasur me vete armën me të cilën ka kryer vrasjen e gruas së tij, e cila është sekuestruar si provë materiale.
Ngjarja Vrasja e 41-vjeçares nga bashkëshorti i saj ka ndodhur brenda në banesën e tyre në fshatin Aliaj ku ata jetonin prej 7 vitesh. Viktima është nga fshati Kaç - Naraç në Vaun e Dejës, prej nga është dhe autori.
Vrasja ka ndodhur në prani të vëllait të viktimës Margarita Lekani dhe dy fëmijëve të çiftit Lekani, vajzës 6 vjeçe dhe djalit 3 vjeç. Sipas dëshmive që ka grumbulluar policia, motivi i vrasjes ka qenë xhelozia.
Të njohur të kësaj familjeje tregojnë se ata janë vendosur në Aliaj para 7 vitesh, ndërsa më parë kanë jetuar në disa vende, si: në Mjedë, Kaç, Naraç, Pjetërshan. Rrok Lekani ka qenë emigrant në SHBA dhe para 8 vitesh është kthyer pasi e kanë kapur autoritetet amerikane pa dokumente qëndrimi dhe e kanë riatdhesuar.
Ai është martuar me Margaritën me të cilën kishte dy fëmijë. Çifti mësohet se ka pasë prej kohësh probleme, pasi Rroku ishte xheloz, ndërsa viktima nuk pranonte akuzat e tij.
Të enjten, dy bashkëshortët së bashku me vëllanë e viktimës, kunatin e autorit të vrasjes, kanë qenë në Tiranë pasi kishin punë. Në Tiranë grindjet mes dy bashkëshortëve kanë vazhduar dhe gruaja i ka telefonuar policisë dhe efektivat e komisariatit nr.1 në Tiranë i kanë shoqëruar në mjediset e tyre.
Mësohet se gruaja ka kërkuar ndihmë pasi i shoqi e kanoste atë dhe vëllanë e saj. Pasi kanë qëndruar 3-4 orë në polici, ata janë "pajtuar" dhe janë rikthyer në Shkodër.
Vrasja
Kur kanë arritur në banesën e tyre në Aliaj, ata kanë nisur të grinden përsëri dhe mësohet se viktima ka dashur që së bashku me vëllanë e saj të pranishëm aty të niset për në Podgoricë të Malit të Zi ku çifti Lekani kishte një banesë të marrë me qira. Gruaja ka kërkuar të largohet e shoqëruar nga i vëllai duke i thënë të shoqit se ishte e pamundur të vazhdonte të jetonte me të.
Mësohet se vëllai i viktimës ka komunikuar policinë para ngjarjes, duke kërkuar që ajo të ndërhynte pasi konflikti mes motrës së tij dhe dhëndrit rrezikonte të kishte pasoja dhe ka theksuar se dhëndri i tij duhej parë tek ndonjë mjek.
Në derën e shtëpisë, në rrugicën ku banonin, gruaja është qëlluar nga bashkëshorti me një armë zjarri automatik duke mbetur e vdekur. Vëllai i saj nuk ka mundur ta ndalojë veprimin e dhëndrit, ndërsa mësohet se pasi ka qëlluar të shoqen Rrok Lekani e ka drejtuar armën dhe nga vëllai i saj.
Ky ka marrë dy fëmijët e motrës dhe kjo ka bërë që 52-vjeçari të mos qëllojë, ndërsa kunati i tij ka mundur të largohet me shpejtësi ndërsa fqinjët që kanë dëgjuar të shtënat, kanë lajmëruar policinë për ngjarjen. Policia ka nisur për të shkuar tek banesa nga ku është kërkuar ndihmë dhe është ballafaquar me ngjarjen e ndodhur.
Ngjarja ka tronditur banorët në fshatin Aliaj të cilët shprehen se edhe pse kjo familje ishte e ardhur, ata silleshin mirë me të tjerët. Në dy ditë ka dy viktima me armë zjarri në qarkun e Shkodrës, ku autori i dyshuar i vrasjes në Kir akoma nuk është kapur nga policia, ndërsa Rrok Lekani do të përballet me akuzat e vrasjes me dashje dhe armëmbajtjes pa leje . Fëmijët e çiftit Lekani janë marrë nga familja e saj, ku do të bëhet dhe varrimi.