E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pengmarrja që shndërrohet në tragjedi, dy të vdekur

Viktimat me pasojë vdekjen kanë qenë dy nga pengmarrësit, ndërkohë që i plagosuri rëndë ishte personi i marrë peng. Shpëton për mrekulli njëri prej pengmarrësve.


Konflikti ka filluar për një borxh që pengu u kishte pengmarrësve si pasojë e punës së papaguar në nxjerrjen e kromit

KUKËS - Tregtia ilegale e kromit ka shkaktuar viktimat e radhës, por kësaj radhe jo në galeritë e nëntokës, por në rrugë. Dy të vdekur dhe dy të plagosur është bilanci i një pengmarrjeje që përfundoi në aksident.


Burime të policisë së Kukesit bëjnë të ditur se në orët e para pas mesnate, duke u gdhirë e premte, në aksin e vjetër të rrugës Kukës-Kalimash, në vendin e quajtur "Kthesat e Kalimashit", poshtë fabrikës së pasurimit të kromit, automjeti tip "Benz 190" me targa të Kosovës 458 KS 233 ka dalë nga rruga duke rënë rreth 300 metër poshtë në greminë.


Për pasojë kanë mbetur të vdekur në vend shtetasit Vullnet Ajet Nerguti, 30 vjeç dhe Erion Sami Xhahu, 19 vjeç, me origjinë nga fshati Gjegjan, me banim në Kukës. Ndërkohë, është plagosur rëndë personi i marrë peng, Sami Vata, 27 vjeç, nga fshati Surroi i Kukësit, me banim në Kamëz të Tiranës. Ka shpëtuar për mrekulli nga ky aksident shtetasi Urim Nerguti, vëllai i njërit prej viktimave.


Në vendin e ngjarjes kanë shkuar forca të shumta të policisë së Kukësit. Për nxjerrjen e trupave është përdorur një autovinç i cili ka bërë tërheqjen me kavo të barelave ku janë vendosur trupat e pajetë dhe i plagosuri.


Në bazë të regjistrit të urgjencës, i plagosuri Sami Vata është paraqitur në spital rreth orës 01:26 të ditës së premte me plagë të rënda në kokë, fraktura në pjesë të ndryshme të trupit, hemorragji dhe dëmtime të tjera fizike.


Ndërkohë që i plagosuri tjetër, Urim Nerguti, është paraqitur në spital në orën 03:22 me plagë të lehta. Trupat e pajetë të Vullnet Nergutit dhe Erion Xhahut kanë mbërritur në spitalin e Kukësit rreth orës 04:30. I plagosuri Sami Vata është transportuar me helikopter për në Tiranë ku gjendja e tij paraqitet tepër e rëndë dhe me pak shpresë për jetën.


Ndërkohë, policia ka filluar hetimet rreth kësaj ngjarjeje, ku fillimisht është ndaluar shtetasi Urim Nerguti, ndërsa është shoqëruar për t'u marrë në pyetje shtetasi Bledar Bogjisha.


Ngjarja


Burime nga policia kanë bërë të ditur se zanafilla e kësaj tragjedie është një pengmarrje për një borxh. Dyshohet se dy viktimat Vullnet Nerguti dhe Erion Xhahu, bashkë me Urim Nergutin kanë marrë peng shtetasin Sami Vata.


Të dyshuarit për pengmarrës kanë qenë të punësuar në galeritë e kromit të Kalimashit tek shtetasi Bledar Bogjisha nga fshati Kalimash, i cili i ka "dalë zot" një zone krommbajtëse në Kalimash duke pretenduar pronësinë mbi tokën. Si rrjedhojë, ai kishte rekrutuar punëtorë me pagesë, midis tyre edhe Vullnet e Urim Nergutin, si dhe Erion Xhahun.


Bëhet e ditur se shtetasi Sami Vata, person me lidhje gjaku me Bledar Bogjishën, ka qenë ndërmjetës për rekrutimin në punë të tre shtetasve nga Gjegjani i Kukësit. Konflikti mes "punëdhënësit" dhe "punëmarrësve" ka filluar për një shumë prej 200-300 000 lekësh të reja që punëtorët pretendonin se ua kishin borxh.


Konflikti për borxhin kishte vazhduar gjatë gjithë ditës së enjte dhe për këtë konflikt ishte njoftuar edhe policia. Megjithatë ky konflikt nuk u shua. Urim e Vullnet Nerguti dhe Erion Xhahu në orët e vona të mbrëmjes u janë vënë nga pas Sami Vatës e Bledar Bogjishës.


Në aksin Kukës-Fushë-Arrës, pranë vendit të quajtur "Peshorja" në fshatin Kalimash, këta tre shtetas i kanë zënë rrugën Vatës dhe Bogjishës që udhëtonin me një kamion.


Ata kanë kërkuar edhe një herë shumën që pretendonin dhe pas përgjigjes negative, fillimisht kanë thyer xhamat e kamionit dhe më pas kanë marrë me forcë drejtuesin e tij Sami Vata duke e futur në autoveturën e tyre tip "Benz 190". Pengmarrësit i kanë komunikuar pengut se ai nuk do të lirohej derisa të merrnin paratë. Pas kësaj ata janë nisur në drejtim të Kukësit, ndërsa Bledar Bogjisha ka mundur të largohet.


Por pas vetëm katër kilometrash në një kthesë të fortë, automjeti ka dalë nga rruga duke rënë rreth 400 metra në greminë dhe duke shkaktuar vdekjen e dy personave dhe plagosjen rëndë të njërit prej tyre.


Policia nuk ka arritur ende të vërtetojë se çfarë është biseduar në automjet gjatë periudhës së shkurtër të përshkimit prej katër kilometrash, pasi dëshmitari i vetëm i kësaj ngjarjeje është shtetasi Urim Nerguti, ndërkohë që viktima vazhdon të jetë në gjendje kome.


Burime të policisë bëjnë të ditur se pjesëtarë të familjes Bogjisha kanë njoftuar policinë pasi i afërmi i tyre, Sami Vata, por edhe pengmarrësit nuk përgjigjeshin në telefon, megjithëse binte zilja. Në drejtim të vendit të ngjarjes kanë shkuar edhe pjesëtarë të familjes Bogjisha, të cilët kanë qenë të parët që kanë identifikuar automjetin e rënë në greminë.


Nga hetimet paraprake bëhet e ditur se shkak për aksidentin ka qenë shpejtësia e madhe e automjetit me të cilin udhëtonin viktimat.


Shfrytëzimi i minierave, shkak konfliktesh


Shfrytëzimi pa asnjë lloj kriteri i minierave të kromit, por edhe të zonave nikel mbajtëse në rrethet e qarkut të Kukësit, kanë shkaktuar mjaft viktima ku vetëm dy vitet e fundit janë shkaktuar tre viktima me pasojë vdekjen dhe tre të plagosur.


Ndërkohë që banorët e zonave mineral mbajtëse janë në konflikt me shfrytëzuesit e tyre. Miniera e kromit në Kalimash të Kukësit i është dhënë me koncension një konsorciumi kinezo-turk me një vlerë prej 350 milionë euro.


Por banorët e Kalimashit nuk kanë qenë dakord. Përfaqësuesit e konsorciumit janë përzënë për të dytën herë radhazi prej tyre. Ndërkohë, banorët e fshatit Mamëz dhe Surroi kanë kërkuar transparencë nga Ministria e Ekonomisë në dhënien e licencave për shfrytëzimin e zonave nikelmbajtëse.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›