Vasilika Hysi: Shqipëria është kthyer në vendin e “çimkave”
Partia Socialiste akuzoi dje qeverinë se dështoi në përpjekjen e saj për të luftuar korrupsionin dhe për këtë qëllim shton përgjimet në administratën publike. Deputetja socialiste e qarkut të Tiranës, Vasilika Hysi, tha dje gjatë një konference për shtyp në selinë rozë, se administrata po i nënshtrohet survejimit. “Ende pa u tharë boja e ndryshimeve të bëra në mars 2008 në ligjin ‘Për përgjimet e telekomunikacioneve’, që i dhanë të drejta SHKB-së në Ministrinë e Brendshme të përgjojë, 6 muaj më pas, qeveria propozoi një ndërhyrje të re në këtë ligj, që i jep të drejtë çdo ministrie, që ka në kompetencë forca policore, që ushtrojnë funksione të policisë gjyqësore të kërkojnë kryerjen e përgjimit dhe çdo ministri, që ka në varësi shërbime informative/policore, që ushtrojnë funksione të policisë gjyqësore të miratojë ose të refuzojë kërkesat për përgjim të telekomunikacioneve”, tha Hysi. Sipas saj, pas kundërshtimeve të opozitës, dje përsëri Komisioni i Ligjeve rimerr këtë projektligj duke i miratuar Ministrisë së Financave të drejtën e përgjimeve. “Ndryshimet që propozohen të bëhen në ligj duke i dhënë ndër të tjera edhe Ministrisë së Financave të drejtën e interceptimit të bisedave të përditshme të punonjësve të vet, tregojnë qartë se jo vetëm lufta kundër korrupsionit nuk ka qenë e suksesshme, por se kjo luftë kërkohet të bëhet duke anashkaluar organet kushtetuese dhe të specializuara në fushën e përgjimet të telekomunikacioneve; duke shkelur rëndë liritë dhe të drejtat e çdo punonjësi të administratës tatimore dhe doganore, por mbi të gjitha të bizneseve. Këto propozime janë një kërcënim serioz për bizneset shqiptare dhe një mundësi tjetër për goditje selektive të bizneseve. Bëhet akoma më e dyshimtë kjo iniciativë ligjore kur në krye të departamentit të hetimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve është ish-gjenerali i Berishës i vitit ‘97", u shpreh Hysi.