Ekzekutohet në sy të tre fëmijëve
KURBIN/ ROLAND NIKOLLI
Ekzekutohet 40-vjeçari me 6 plumba në sy të tre fëmijëve të tij të mitur. Autori i krimit është djali i xhaxhait të ish-gruas së viktimës. Ai vendosi të hakmerrej jo vetëm për keqtrajtimet që i ishin bërë kushërirës së tij, por së fundmi edhe disa probleme pronësie. Ngjarja e rëndë ndodhi dje rreth orës 15:00 në fshatin Shkopet të Kurbinit. Alfred Gjeçi mbeti i vdekur në vend, ndërsa autori i krimit, Alfred Sefgjini u arrestua dy orë pas ngjarjes pa bërë rezistencë. Sipas policisë, ngjarja u regjistrua në dalje të fshatit Shkopet, në lokalin e Gjeçit i cili ndodhet ngjitur me rrugën nacionale Milot-Burrel. Nga hetimet e para rezultoi se viktima ishte ndarë disa herë nga gruaja e tij dhe me ndërmjetësimin e familjarëve ata ishin ribashkuar. Por 40- vjeçari në vazhdimësi e keqtrajtonte të shoqen, edhe pse familjarët e saj i kishin kërkuar disa herë sqarim për këtë. Duke mos mjaftuar keqtrajtimi ndaj së shoqes, mësohet se edhe lokali i ndërtuar nga viktima ishte mbi truallin e familjes Sefgjini, por Gjeçi nuk kishte arritur të gjente gjuhën e kompromisit me ta. Kontaktet e vazhdueshme në mes të palëve për të përmirësuar situatën e bashkëshortëve nuk ka sjellë asnjë ndryshim. Në mungesë të një vëllai, bashkëshortja e Gjeçit është përkrahur nga djali i xhaxhit të saj. Ai kishte ndërhyrë disa herë të zgjidhte mosmarrëveshjet, por pa rezultat. Mësohet se 6 muaj më parë çifti ishte divorcuar sërish. Në këto rrethana, por edhe refuzimin e viktimës për t'u sqaruar për truallin ku kishte ndërtuar lokalin, djali i xhaxhait të bashkëshortes së Gjeçit i ka telefonuar atij dhe i ka kërkuar takim. Ata kanë lënë si vendtakim lokalin ku 40 -vjeçari edhe jetonte së bashku me tre fëmijët e tij. Alfred Sefgjini, i cili kishte pak kohë që kishte ardhur me pushime nga emigracioni, ka shkuar të takojë ish-kunatin e tij i armatosur. Pasi janë takuar, Gjeçi dhe Sefgjini kanë debatuar ashpër për konfliktet e njëpasnjëshme që ata kishin me njëri-tjetrin. Por megjithë këtë debat, 40-vjeçari sërish nuk është tërhequr, çka më pas ka marrë në mënyrë të befasishme 6 plumba, duke mbetur i vdekur në vend. Ngjarja e rëndë ndodhi në sy të tre fëmijëve të tij të mitur, më i madhi 13 vjeç. Ata u morën në mbrojtje nga policia pasi mësohet se ngjarja u kishte shkaktuar traumë të rëndë. Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, babai i tre fëmijëve kishte marrë 6 plumba në trup dhe në kokë, çka i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Arrestimi i autorit të vrasjes u krye 2 orë më pas po në fshatin Shkopet, ndërsa ai po dilte nga një banesë.
Ngjarja, fëmijët në panik
Fëmijët e familjes Gjeçi janë marrë në mbrojtje nga policia, pasi kanë qenë të tmerruar nga ajo çfarë kishin parë. Dëshmia e tyre do të zbardhë edhe ngjarjen dhe debatin e djeshëm në mes të dy kunetërve, ku mbeti i vrarë 40-vjeçari Alfred Gjeçi. Mësohet se fëmijët do të merren në pyetje në praninë e një psikologu, pasi ndodhen në një gjendje të rëndë psikologjike