E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krerët e policisë vizitë në familjen e "Dëshmorit"

 

TIRANE - Krerë të policisë së kryeqytetit vizituan dje familjarët dhe të afërm të "Dëshmorit të Atdheut" Lulëzim Sadikaj, i cili u vra më 3 maj të vitit 1998 në Tiranë. Lajmin e bëjnë të ditur burime zyrtare të policisë së kryeqytetit sipas të cilave Komisioni Qendror i statusit të "Dëshmorit të Atdheut" me vendimin numër 283, datë 25 shkurt 2009, e ka shpallur dhe e njeh, ish-punonjësin e policisë Lulëzim Sadikaj, si "Dëshmor të Atdheut". "Në këtë ditë përkujtimore, drejtori i Policisë së Tiranës si dhe zëvendësdrejtorët i dhuruan familjes së Dëshmorit të Atdheut, simbolin e "Familjes së Dëshmorit të Atdheut", thuhet në njoftimin zyrtar të policisë së kryeqytetit. Më tej policia bëri të ditur se, drejtuesit e bluve të kryeqytetit rikujtuan ngjarjen e rëndë të vitit 1998 ku në rrugën "Kongresi i Manastirit", ish-punonjësi i policisë, "Dëshmor i Atdheut" mbeti i vrarë me armë zjarri në krye të detyrës. Gjatë vizitës së djeshme në familjen e policit të vrarë krerët e bluve të kryeqytetit theksuan se në vazhdimësi ish-punonjësit e policisë dhe familjarët e tyre, do të mbështeten gjithmonë nga strukturat e Policisë së Shtetit, të cilët për të goditur dhe kapur kriminelët, dhanë jetën e tyre, duke realizuar një akt heroik në shërbim të komunitetit. "Certifikata e "Dëshmorit të Atdheut", iu dhurua familjes së të ndjerit, duke përfituar një pension të veçantë suplementar", përfundon deklarata për shtyp. Vrasësi i policit është 30-vjeçari Leonard Zakja, i cili u ekstradua tre vjet më parë nga Italia dhe tashmë ndodhet në burg, duke vuajtur dënimin me 25 vjet heqje lirie. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›