E Diel, 1 Nëntor 2026

Maska në kufirin me Greqinë, grabiten tre klandestinët

 

SARANDE - I cilësuar një vit më parë nga krerë të policisë së Sarandës si epiqendra e krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme, Konispoli ka dalë sërish në skenë ditët e fundit në skedat e policisë. Denoncime për grabitje me armë nga persona të maskuar ka bërë që në qytezë të shtohen patrullimet nga forcat blu. Agjentët kriminalë prej disa ditësh hetojnë mbi një grup që vepron në Konispol dhe që dyshohet për disa krime, mes të cilave edhe grabitje me armë. Rasti më i fundit është shënuar në orët e para të mëngjesit të djeshëm në qytezën "mister", të cilësuar kështu për shkak të zbulueshmërisë së ulët të krimeve që ndodhin në këtë vend. Ngjarja më e fundit mësohet të ketë ndodhur në "Piramidën 31" në Konispol. Në këtë zonë, policia, siç informojnë burimet konfidenciale, ka pasur informacion për shfaqjen e dy personave të maskuar dhe të armatosur. Në orët e vona të një dite më parë, në rrugë operative agjentët kriminalë kanë mësuar shfaqjen sërish të dy maskave, ndërkohë që në adresë të policisë ka ardhur edhe denoncimi i parë ndaj tyre. Kanë qenë 3 shtetas, dy me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit dhe një shtetas tjetër që i shoqëronte, ata që kanë rënë pre e maskave në orët e vona të së hënës. Nën kërcënimin e armës, dy maskat kanë arritur t'u marrin atyre 160 euro, 30 mijë lekë si dhe 3 aparate celularë. Në vendngjarje, pas informacionit dhe denoncimit të marrë kanë mbërritur shumë forca policie. Në mbështetje të kolegëve të Sarandës, prej tri ditësh në Konispol ndodhen edhe agjentë e forca speciale të ardhura nga Drejtoria e Policisë e Qarkut Vlorë. Deri tani edhe pse po vazhdon puna intensive për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të veprimtarisë së tyre, ende nuk është bërë i mundur identifikimi i dy maskave. Precedenti i grabitjes së klandestinëve në zonat kufitare Konispol, Vërvë, ka qenë problematikë e mbartur që prej vitit 1997. Në atë periudhë një grup kriminal, kryesisht i përbërë nga një grup djemsh nga Konispoli dhe nga një grek, kryente grabitjen e klandestinëve dhe në disa raste edhe dhunimin seksual të femrave. Një rast tjetër ka qenë ai i tetorit 2006, kur ky fenomen u shfaq sërish në fshatin Vërvë, duke sjellë ndalimin e dy personave. sh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›