E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekzekutohet për hakmarrje babai i tre fëmijëve

FIER- Ylli Kalemi 46 vjeç, babai i tre fëmijëve, banor i fshatit Gorishovë komuna Cakran në Fier, është vrarë me pistoletë. Ky është njoftimi paraprak i Drejtorisë së Policisë së qarkut Fier dhënë në paraditen e së dielës. Ndërsa ende nuk ka një pistë të saktë për të përcaktuar shkaqet dhe autorët e kësaj vrasjeje. Mësohet se kanë qenë dy persona, që udhëtonin me mjet tip motoçikletë, me armë pistoletë të kalibrave të ndryshëm, bazuar nga përcaktimi paraprak i gëzhojave të gjendura në vendin e ngjarjes.

Mësohet se vrasja mund të jetë kryer për motive hakmarrje, por që ende nuk janë saktësuar rrethanat.

Vrasja

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22 00 të mbrëmjes së shtunë në autostradën Levan- Tepelenë, në vendin e quajtur Selishtë. Viktima Ylli Kalemi është gjetur në orët e paradites së diel, i pajetë, mes pellgut të gjakut, në rrugë, disa metra larg automjetit të tij tip Benz 240 me targa FFB F 7266, nga një drejtues mjeti që kalonte atë çast në shtratin e rrugës së autostradës se re që po ndërtohet. Automjeti ka qenë i ndalur në anë të rrugës që po ndërtohet, me dyer të hapura, në njërën prej dyerve të tij nga kahu i shoferit, dallohej qartë që kishte një shenjë predhe në dalje. Ndërsa autovetura ishte e ndalur me drejtimin drejt fshati Rromës, në kahun për në drejtim të Tepelenës. Drejtuesi i mjetit i cili është anonim ka lajmëruar policinë. Në vendngjarje kanë mbërritur drejtues të Drejtorisë së Policisë qarku Fier, ekspertë të grupit kriminalistik, si dhe forca të shumta policie.

Provat

Rreth 14 gëzhoja janë gjetur ne vendin e ngjarjes, sipas ekspertëve të qitura nga dy armë zjarri pistoletë të kalibrave të ndryshëm. Policia dhe grupi i ekspertëve kanë këqyrur thellësisht dhe imtësisht vendin e ngjarjes. Mësohet se viktima ka qenë në mbrëmjen e së shtunës në një lokal, në fshatin e tij disa km larg vendit ku ai u qëllua për vdekje. Sipas burimeve të bashkëfshatarëve të tij nga vendngjarja ai është telefonuar rreth orës 21 00. Është larguar nga lokali me nxitim, duke drejtuar mjetin e tij Benz nëpër rrugën që lidh fshatin Gorishovë me aksin autostrada në ndërtim Levan-Tepelenë. Sapo është futur në këtë aks rrugor, ai është ndeshur në pusinë e ngritur prej autorëve të krimit, ende të paidentifikuar. Është qëlluar me armë zjarri në një grykë kodre mes së cilës është ndërtuar pjesa e rrugës kombëtare. Viktima është përpjekur të dalë nga automjeti dhe të largohet për në drejtim të një pjesë kodre, por nuk ka arritur. Nën intensitetin e plumbave të autorëve ai ka devijuar rrugën dhe është përpjekur të kthehet në drejtim të fshatit të vet. Atë çast është qëlluar me disa predha të tjera pistolete. Njëri prej plumbave e ka zënë në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Në paraditen e së dielës trupi i tij i pajetë është gjendur në rrugë. Bashkëfshatarë të tij janë shprehur se viktima ka patur një sjellje të mirë. Për të mbajtur ekonominë familjare të tij, ai ishte punësuar në ndërtimin e rrugës Levan-Tepelenë prej disa kohësh. Ai ishte i martuar, babai i tre fëmijëve. Burime nga policia janë shprehur se po hetojnë në disa pista përfshi atë të hakmarrjes për motive të dobëta. Ndërsa trupi i pajetë përfundoi në morgun e qytetit për të kryer ekspertizën mjeko-ligjore, policia deklaroi se dosja penale është duke u plotësuar dhe në bashkëpunim me prokurorinë e rrethit Fier po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›