Ndalohet punonjës i policisë, transportonte 75 kg drogë
Gjirokastër- Strukturat e Policisë së Shtetit në Gjirokastër kanë ndaluar një efektiv policie, punonjës i Ministrisë së Brendshme, ndërsa me automjetin të cilin drejtonte transportonte 75 kilogramë lëndë narkotike të llojit marijuanë. Gjatë këtij operacioni antidrogë atij i është sekuestruar edhe një armë zjarri pistoletë, tip Beretë. Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë e Policisë në Gjirokastër, Ervin Hysa, 30 vjeç, lindur dhe banues në Ndroq, Tiranë, me detyrë punonjës policie, inspektor në Repartin e Sigurisë së Brendshme dhe Ceremonialeve pranë Ministrisë së Brendshme, është ndaluar për veprën penale të “prodhim dhe shitje të narkotikëve”.
Operacioni për goditjen e këtij rasti të transportit të lëndëve narkotike është ndërtuar mbi bazën e informacioneve që dispononin specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, se një automjet i markës Audi Q 7, që drejtohej nga një punonjës policie dhe po lëvizte nga Gjirokastra në drejtim të Tiranës, mund të transportonte lëndë narkotike. “Mbështetur mbi këtë informacion, ne bashkëpunuam me postbllokun e policisë, i cili është ngritur në dalje të qytetit të Gjirokastrës, në afërsi të Viroit, i përbërë nga Policia e Rendit dhe Qarkullimit me qëllim bllokimin e ngarkesës me drogë”, thonë agjentët e antidrogës në Gjirokastër. Ndërkohë, që orët e para të ditës së diel, automjeti i dyshuar po udhëtonte në rrugën kombëtare Gjirokastër-Tepelenë, ai mbikëqyrej në distancë nga agjentët policorë. Pasi automjeti ka mbërritur në afërsi të Viroit, ai i është nënshtruar kontrollit të postbllokut të policisë. “Nga kontrolli i ushtruar në automjetin Audi Q7, me targa TR 42 20 T, që drejtohej nga 30-vjeçari Hysa, në bagazhin e tij u konstatuan 9 pako të mëdha, në formë katrore të mbështjella me letër natriban, me peshë të ndryshme, ku brenda tyre kishte lëndë narkotike marijuanë. Gjithashtu, në vendin ku mbahet goma rezervë u konstatuan edhe dy pako të tjera me madhësi të ndryshme, të mbështjella me letër natriban. Nga peshimi i lëndës narkotike rezultoi se pesha e përgjithshme e ngarkesës ishte 75 kilogramë”, thonë burime në grupin hetimor. Pas shoqërimit të drejtuesit të mjetit në policinë e Gjirokastrës dhe hetimet e para, rezultoi se ai e kishte blerë lëndën narkotike në Lazarat, dhe do ta transportonte në drejtim të Tiranës. Në cilësinë e provës materiale policia sekuestroi sasinë e lëndës narkotike, automjetin Audi Q7, si dhe një armë zjarri pistoletë, tip Beretë, e cila u gjet në makinë. Specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve në Gjirokastër në bashkëpunim me kolegët e tyre të policisë së Tiranës dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër vazhdojnë punën për të zbardhur plotësisht këtë rast të trafikut të lëndëve narkotike. B.SH.