E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sadiraj: Pakti detar, interpretim i gabuar i KD

Reagimet e ish-ushtarakëve, historianëve dhe zyrtarëve: Sa do t'i kushtojë vendit marrëveshja?

Veron Sadiraj, ekspert i problemeve juridike për transportin detar - tregtar, në një analizë për gazetën "Shekulli", të pak ditëve më parë u shpreh se Marrëveshja për delimitimin e ujërave detare mes Shqipërisë dhe Greqisë ka bërë një interpretim të gabuar me KD (Konventën e Detit) të vitit 1982.


Ish-punonjës i Flotës Detare Tregtare prej mëse 30 vjetësh e kapiten i lundrimeve të largëta, Sadiraj thotë, duke komentuar rastin e Gjirit të Sarandës se pretendimi që gjiri i Sarandës fillon nga kepi Denta në jug dhe kepi Paladha në veriperëndim, nuk i përgjigjet realitetit. "Ai konfigurim është radë e portit-limani i Sarandës me radën dhe jo gjiri i Sarandës.


Gjiri i Sarandës është prej vijës bazë të drejtë që fillon prej Kepit të Qefalit deri te Kepi i Butrintit, duke u konsideruar ujëra të brendshme, ujërat përtej kësaj vije deri te vija e bregdetit tonë, ku shteti shqiptar ushtron sovranitet ekskluziv në këto ujëra.


Mirëpo e Drejta Ndërkombëtare si dhe në vështrim të nenit 10 të Konventës së re, pranon që të trajtohen si ujëra të brendshme edhe ujërat e atyre gjireve detare, hyrja e të cilave është më e gjerë se sa dyfishi i ujërave territoriale, me kusht që shteti bregdetar të ketë ushtruar kontroll mbi këto ujëra gjatë një periudhë të konsiderueshme historike",- shprehet ai duke marrë edhe shembuj të huaj.


Sipas tij devijimi nga vija ndarëse reale e kufirit ujor të Shqipërisë në pjesën veriore të Ngushticës së Korfuzit e kryesisht në Gjirin e Sarandës dhe në pjesën më të ngushtë të saj dallohet qartë kur krahason ndarjen e re sipas koordinatave gjeografike të marrëveshjes për kufirin detar me Greqinë me hartën e lundrimit, botim anglez të përdorur nga luftanijet britanike në 22 Tetor 1946, duke lundruar nëpër ngushticën e Korfuzit, me kurs për në veri afër bregdetit shqiptar, në vijë të Sarandës, ku është tërhequr kufiri detar me vijë të ndërprerë, duke filluar nga ishulli Togo, në drejtim të piramidës 79, duke vazhduar në ngushticë në distancë të baraslarguar nga dy brigjet, pastaj kthehet në kurs travers kepit Barbaro të Korfuzit, duke iu afruar fenerit Peristeri, duke lënë paksa në lindje shkëmbin Barketa (Psillos).


"Kjo vijë duhet të ndiqte mesin e ngushticës duke qenë në çdo pikë të vet e baraslarguar nga brigjet ballë për ballë. Mbi këtë bazë qoftë Shqipëria e Greqia, përcaktuan në mënyrë të pavarur vijën e kufirit ujor, vijë që në thelb ishte e njëjtë dhe u njoh e u respektua nga të dy palët deri në ditët tona. Sqaroj, se shkëmbi Barketa nuk u llogarit asnjëherë si element ndikues në heqjen e vijës ndarëse.


U zgjata pak me këto përcaktime, sepse shpesh në media krijohej mendimi se: "Nuk kemi pasur kufi detar mes Shqipërisë dhe Greqisë". Pra kufiri detar ka qenë prej vitesh dhe është respektuar nga palët, kurse marrëveshja për kufirin do të ligjëronte praktikën e njohjes së vijës së kufirit në ngushticën e Korfuzit.


Pse ka qenë kufiri detar mes Shqipërisë dhe Greqisë? Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vendimin e saj dt. 15.12.1949 për incidentin e Korfuzit ka pranuar se Britania e Madhe me anijet e saj me dt. 12-13 nëntor 1946 ka dhunuar sovranitetin e RPSH. Kjo Gjykatë administroi si prova hartat e lundrimit me ditarët e lundrimit",- thotë avokati Sadiraj.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›