Ekzekutuan 2 rivalët me kallashnikov, dënime të ashpra për 3 autorët

Burg përjetë. Është ky dënimi i dhënë nga gjykata e Vigevano Mariafrancesca Abenavoli, në Itali ndaj shqiptarit Fatjon Todri 24 vjeç, me banim në Tromello, i akuzuar për vrasjen e dy shqiptarëve të tjerë natën e 17 marsit 2012 për larje hesapesh.
Dënim i rëndë është dhënë edhe për Klodjan Hoxhaj 29 vjeç me banim në Mede, i cili u dënua me 20 vite burg.
11 vite burg ishte dënimi tjetër i dhënë për Gentian Gjonin 27 vjeç me banim në Drono, i cili ishte i vetmi që nuk qëlloi natën e ekzekutimit.
Viktimat si pasojë e të shtënave, mbetën dy kunetërit Martin Turka 24 vjeç dhe Almir Gajtani 31 vjeç, ndërsa vëllai i këtij të fundit Kreshnik Gajtani me banim në Vigevano mbeti i plagosur lehtë, shkruan noa.
Ndër të tjera u vendos edhe një seancë dëgjimi për shpërblim dëmi ku paraprakisht u vendos 100 mijë euro për babanë e Martin Turkës dhe 150 mijë euro për motrën e Turkës, njëkohësisht gruaja e Almir Gajtanit.
Ngjarja e rëndë e ndodhur në parkimin e një klinike në Pavia, asokohe u cilësua si një prej ngjarjeve më të përgjakshme dhe më mizore të viteve të fundit.
Mes dy grupeve të shqiptarëve kishte disa çështje të mbetura pezull, të cilat ishin parashikuar të sqaroheshin në takimin e asaj nate, ndërsa askujt nuk ia merrte mendja se takimi ishte një kurth i hapur.
Nga ana e tyre Fatjon Todri dhe Klodian Hoxhaj kishin shkuar të armatosur me kallashnikov në takim dhe kur të dy grupet u gjetën përballë njëri tjetrit u nxorën direkt armët. Së paku 23 të shtëna u drejtuan mbi Turkën dhe Gajtanin duke u shkaktuar vdekjen, ndërsa Kreshnik Gajtani u prek vetëm nga një plumb.
Tre autorët u larguan me një makinë që qendronte ndezur aty pranë, ndërsa nga ana e policisë u ngritën postblloqe. Presioni i forcave të rendit bëri që dy nga tre të kërkuarit të dorëzoheshin pak më vonë, ndërsa i treti u arrestua vetëm pas tre muajsh./Indeksonline/