Talibanët mohojnë sulmin ndaj Kryqit të Kuq

Një zëdhënës i talibanëve në Afganistan ka thënë se grupi radikal nuk ka lidhje me sulmin vetëvrasës në zyrën e Kryqit të Kuq në Xhalalabad.
Qari Mohammad Yousaf Ahmad ka thënë se talibanët nuk do të mbështesnin kurrë një sulm kundër kësaj organizate.
Kryqi i Kuq ka njoftuar sot se ka pezulluar të gjitha operacionet në Afganistan, pasi dy persona të armatosur kanë sulmuar të mërkurën kompleksin e tij në Xhalalabad. Nga sulmi ka humbur jetën një roje, transmeton Rel.
Zëdhënësi Hassib Rahimi ka thënë se është ende e paqartë se për sa kohë do të ndalojnë operacionet. Ai ka deklaruar se Kryqi i Kuq është në bisedime me qeverinë dhe kryengritësit për të zbuluar se kush qëndron prapa sulmit.
Agjencia e lajmeve AFP raporton se ky ka qenë sulmi i parë kundër Kryqit të Kuq në Afganistan prejse kjo organizatë ka nisur operimet në këtë vend, në vitin 1987.
Organizata ka të punësuar rreth 1 800 njerëz në gjithë Afganistanin, përfshirë 36 në Xhalalabad./Indeksonline/