E Shtunë, 31 Tetor 2026

Siri, beteja për Kusair

Forcat opozitare në Siri po përforcojnë pozicionet e tyre luftarake në mbrojtje të qytetit të Kusairit, i rrethuar nga forca të shumta të regjimit të ndihmuara nga trupat Hezbollah.

Kreu i grupit kryesor opozitar, George Sabra foli për rreth 1 mijë trupa të opozitës të vendosura në këtë qytet. Por BBC citon një burim nga brenda qytetit të rrethuar të ketë thënë që numri i rebelëve në këtë zonë është shumë herë më pak se 1 mijë.

Presidenti Assad në një intervistë për një televizion libanez u shpreh i bindur për fitoren e luftës kundër “terroristëve dhe armiqëve të Sirisë”. Trupat e tij, të mbështetura nga Hezbollah prej disa javësh po kërkojnë marrjen e Kusairit, qytet kyç nga ku kontrollohen rrugët lidhëse si për ushtrinë e regjimit ashtu edhe për opozitën e armatosur.

Bashar al-Assad ka paralajmëruar gjithashtu Izraelin se do të përgjigjet në po të njëjtën mënyrë, në rast të ndonjë sulmi të ardhshëm me raketa.

Izraeli ka paralajmëruar se i konsideron raketat ruse si një kërcënim serioz ndaj sigurisë së tij. Izraeli ka ndërmarrë 3 sulme nga ajri në Siri, për të ndaluar transferimin e armëve të rënda drejt Hezbollahut në Liban.

“Ekziston një presion popullor për të nisur një front rezistence në Golan”, tha Assad. Izraeli ka pushtuar Lartësitë Golan që prej luftës së vitit 1967. Ai aneksoi territorin në 1981, në një lëvizje, e cila nuk është njohur nga komuniteti ndërkombëtar.

Predhat siriane kanë goditur pozicionet izraelite në Lartësitë Golan, edhe pse nuk është e qartë nëse ato kanë patur si shënjestër rebelët në zonat kufitare, ndërsa Izraeli i është kundërpërgjigjur zjarrit.

Siria dhe Izraeli janë në gjendje lufte që prej 1948, por kufiri ka qenë relativisht i qetë gjatë viteve të fundit./Indeksonline./
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›