E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, 2 km hekurudhë e vjedhur për skrap në 4 muaj

Të tjera rreth shkrimit /VIDEO ELBASAN - Shumë kilometrat shina të vjedhura në qarkun e Elbasanit. Siç mësohet nga burimet institucionale, ato janë vjedhur nga disa persona të ndryshëm me qëllim tregëtimin e tyre për skrap. Pamjet në video janë marrë nga shinat e linjës hekurudhore, që lidh qytetin e Elbasanit me fabrikën e çimentos me gjatësi 3.5 km. Vetëm në katër muaj në këtë segment janë vjedhur për skrap nga persona të papërgjegjshëm afro 2 km shinë hekurudhore.

Ndër vite, kjo linjë hekurudhore është përdorur për transportin e mallrave dhe të punonjësve të fabrikës por, siç tregojnë pamjet, sot ky segment është katandisur në gjendje të mjeruar. Biznesi i skrapit vazhdon të mos kursejë as shinat e hekurudhes shqiptare, ku në shumicën e rasteve janë shina, të cilat janë funksionale ato që vihen në qendër të hajdutëve të hekurit. Në pjesën më të madhe të rasteve, ku shinat janë vjedhur për skrap, kanë qenë vetë banorët e zonave përreth grabitësit e tyre. Situata ka ardhur duke u rënduar gjatë muajve të fundit, ku vjedhjet kanë qenë më masive.

Drejtori i mirëmbajtjes së hekurudhes në Elbasanit, Petrit Tola, është shprehur se, “situata paraqitet problematike në shumë zona të hekurudhës ku, drejtoria e Elbasanit duhet të mbulojë një sipërfaqë shumë të madhe me hekurudhë nga Rrogozhina deri në Pogradec”. Më tej, Tola ka theksuar se, “për shkak të fenomenit të vjedhjes së shinave, ne si drejtori, për të gjitha rastet kemi plotësuar proces-verbalet e nevojshme dhe janë bërë kallëzimet pranë policisë së Elbasanit, di që ka pasur edhe arrestime”.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›