E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, Meta: koalicion me PS-në, nëse e kërkon Rama

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, i pyetur në Elbasan nëse është gati për të krijuar një koalicion me PS-në në Zgjedhjet e 2009-ës, ka deklaruar se ai nuk ka për ta kërkuar këtë por nëse Rama do ta kërkojë, kjo mbetet për tu diskutuar. 

ELBASAN - Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta mesditën e të dielës, gjatë një takimi me drejtues të degëve të kësaj force politike në rrethet e qarkut të Elbasanit ju ka shprehur atyre falënderimet për mbështetjen që anëtarët dhe simpatizantët i dhanë grupit të deputetëve gjatë grevës së zhvilluar gjatë 9 ditëve në parlament duke kundërshtuar kodin e ri zgjedhor.
Duke folur për një aleancë të mundshme me Partinë Socialiste, Meta ka deklaruar se ai nuk ka për ta kërkuar këtë por nëse partia e drejtuar nga Edi Rama do ta kërkojë këtë kjo mbetet për tu diskutuar. Sipas tij në zgjedhjet e reja do të ketë dy koalicione. Një koalicion për mbrojtjen e votës dhe një koalicion elektoral. Aleancë parazgjedhore nuk do të ketë ka thënë -me tej Meta. Ai që bëri aleancë me Berishën për miratimin e Kodit të Ri Zgjedhor dhe që dhunuan kushtetutën nuk mund të bëjë aleancë me L.S.I-në. Kodi zgjedhor e dëmton rëndë L.S.I-në sepse ajo është një parti e madhe dhe tepër e mirëorganizuar. Kodi i ri për të cilin Rama thotë se nuk është lexuar mirë nga disa segmente e cënon standardin e zgjedhjeve.
Meta në një prononcim më pas para mediave foli për zhvillimet e fundit në politikën shqiptare. Meta nga Elbasani e ka cilësuar parlamentin e Shqipërisë si parlamentin e turpit. Sipas tij Berisha dhe Rama, të cilët me partitë e tyre miratuan kodin e ri zgjedhor janë fotokopje të njëri- tjetrit, dhe që të dy paraqesin një rrezik të madh për demokracinë shqiptare. Nga dyshja Berisha- Rama po tentohet hapur cënimi i votës së shqiptarëve. Kreu i L.S.I-së Ilir META ka deklaruar se partia e tij ka një strategji të fuqishme për të dalë forca e parë politike në zgjedhjet parlamentare të 2009 dhe kjo është arsyeja që Berisha dhe Rama po tmerrohen nga forca e madhe që ka kjo parti. “Megjithëse ato arritën ta miratojnë kodin zgjedhor të cilin ne e kemi kundërshtuar me të drejtë sepse jemi një parti e madhe e opozitës dhe jo një parti sa ajo e Gjinushit përsëri jemi të sigurtë që i kemi të gjitha mundësitë ta mbrojmë votën e shqiptarëve për cilëndo parti ta kenë hedhur ata”- tha Meta.
“Vërtet Berisha e Rama janë bashkuar për miratimin e këtij kodi duke synuar dëmtimin tonë por kjo nuk na frikëson. Ne kemi mbështetjen e fuqishme të ndërkombëtarëve
dhe në mbrojtjen e votës”.
(O.Zh BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›