Akulli mbulon rrugët, dy aksidente në Pukë, pa të lënduar
PUKE- Si pasojë e akullit që ka mbuluar akset rrugore të veriut të vendit në rrethin e Pukës janë shënuar disa aksidente. Një fugon pasagjerësh për pak sa nuk përfundoi në humnerë pasi është përplasur me një automjet tip Volsvagen me targa belge. Fatmirësisht nuk u shënuan viktima apo të lënduar. Ndërkohë në segmentin rrugor Qafe- Mali Fierz një mjet tip Benc 240-sh me targa TR 02 98 F edhe pse i pajisur me zinxhir për pak sa nuk ka përfunduar në humnerë, ndërsa ka dalë nga rruga. Mjeti i cili po vinte nga Bajram Curri në drejtim të Pukës ishte pjesë e një eskorte dasmoresh. Rrëshqitje të tjera automjetesh dhe dalje jashtë rruge janë shënuar edhe në segmentet e tjera rrugore te rrethit të Pukës por fatmirësisht të gjitha kanë qenë pa dëme në njerëz.
Policia e Qarkullimit Rrugor e Pukës edhe pse me forca dhe mjete të kufizuara për të mbuluar 220 km rrugë që përshkojnë rrethin e Pukës ka asistuar në të gjithë ngjarjet aksidentale që janë regjistruar në rrugët e rrethit verior.
Si rezultat i motit të keq dhe temperaturave të ulëta, vazhdojnë të mbeten pa energji elektrike një pjesë e madhe e fshatrave në rrethin e Pukës, si pasojë e reshjeve të borës dhe stuhisë. Trashësia e borës është rreth 50 cm, ndërsa sipas policisë rrugore po merren te gjitha masat për ti mbajtur rrugët të zhbllokuara. Ndërsa vihet re një qarkullim i paket i automjeteve.
(O.Zh/BalkanWeb)