E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, Mjekët: 17-vjeçarja e përdhunuar do lindë fëmijë

Burime nga spitali gjinekologjik i Elbasanit bënë të ditur se "Pacientja është në muajin e shtatë të shtatzanisë dhe ndërhyrja nuk do të bëhet, pasi paraqet rrezik të dyfishtë, për nënën dhe fëmijën". 

ELBASAN E përdhunuara nga kushërinjtë e saj të parë, 17-vjeçarja Natasha Çullhaj nga fshati Plangaricë i Elbasanit, nuk do të abortojë, por do të bëhet nënë! Këtë e konfirmojnë burimet për "Gazeta Shqiptare" pranë mjekëve të spitalit gjinekologjik të qytetit, që kanë ekzaminuar viktimën pas denoncimit të incestit. "Pacientja është në muajin e shtatë të barrës dhe ndërhyrja nuk do të bëhet, pasi paraqet rrezik të dyfishtë, për nënën dhe fëmijën", - pohojnë mjekët. Ndërkohë që familjarë të të akuzuarve kërkojnë që të bëhet AND-ja për të vërtetuar pretendimet e 17-vjeçares dhe të familjes së saj. VIKTIMA
Incesti në fshatin periferik, përveçse dramës së dhimbshme për viktimën e familjen e saj, po përjetohet si ngjarje tepër e rëndë dhe në zonë e më gjerë. Ndërkohë, për shkak të ngjarjes e denoncimit që hapi armiqësinë brenda vëllazërisë, policia ka marrë masat për të evituar një hakmarrje e mundshme mes palëve në konflikt. Burime të afërta pohojnë se 17-vjeçarja e përdhunuar nga dy kushërinjtë e saj të parë është një nga 5 fëmijët e Shyqyri Çullhajt, nga Plangarica e largët e Elbasanit. Ajo vuan nga disa shqetësime shëndetësore të hershme. Të njëjtat burime pohojnë se kanë qenë familjarët e viktimës, që pasi kanë konstatuar se vajza ka mbetur me barrë, kanë denoncuar në polici. "Kërkojmë që përdhunuesit të dalin para drejtësisë", - pohojnë familjarët e 17-vjeçares.
PËRDHUNUESIT
Ndërsa, dy të akuzuarit për përdhunimin e saj, 15-vjeçari Edmir Çullhaj dhe 18-vjeçari Bukurosh Çullhaj si dhe familjarët e tyre, kërkojnë që të bëhen analizat që të përcaktohet atësia e foshnjës në barkun e 17-vjeçares. "Një nga të akuzuarit, 18-vjeçari Bukurosh Çullhaj është në emigracion në Greqi. Për të është firmosur një urdhër-arresti dhe është shpallur në kërkim", - pohojnë drejtues të policisë së Elbasanit. Familjarët e dy vëllezërve të akuzuar për përdhunim, këmbëngulin se ky akt nuk është kryer nga fëmijët e tyre. "Nuk e kemi përdhunuar ne dhe jemi gati të përballemi në çdo çast me drejtësinë", - pohojnë të akuzuarit. Viktima ndodhet nën përkujdesjen e mjekëve.
(s.g/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›