Elbasan/ Zjarri në landfill dyshohet i qëllimshëm, Mbrojtja ndërhyn për shuarjen

Policia e Shtetit ka rritur praninë me efektivë pranë vendgrumbullimeve të mbetjeve, pak orë pas zjarrit që rrezikoi të shtunën një landfill në Elbasan.
Përhapja e zjarrit në fushën e mbeturinave të qytetit u favorizua nga era dhe temperaturat e larta, sa detyroi pushtetin vendor të kërkojë ndihmën e ministrisë së Mbrojtjes për ta vënë atë nën kontroll.
Ministri i Brendshë, Taulant Balla, reagoi duke zbuluar dyshimet e policisë se zjarri mund të jetë ndezur qëllimisht.
“Kam urdhëruar Policinë e Shtetit të rrisë sigurinë pranë landfillëve – fushave të mbetjeve në të gjithë vendin. Kam kërkuar që edhe policitë bashkiake të krijojnë shërbim 24 orë kontrolli dhe shërbimet zjarrëfikëse të jenë pranë për të parandaluar çdo zjarrvënie,” njoftoi ministri Balla.
Edhe ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, informoi se apelit për ndihmë të autoriteteve vendore të Elbasanit i janë përgjigjur menjëherë Forcat e Armatosura për të ndihmuar me vënien nën kontroll të flakëve në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane.
“20 efektivë të BMEC-së dhe 5 mjete janë nisur krah forcave zjarrfikëse të Elbasanit për të frenuar përhapjen e zjarrit që favorizohet nga era dhe temperaturat e larta,” informoi Peleshi nëpërmjet rrjeteve sociale.
/rtsh.al/