Papa Françesku paralajmëron për rreziqet e mediave sociale: Marrëdhëniet njerëzore janë reduktuar në algoritme

Papa Françesku paralajmëroi të shtunën për rrezikun e reduktimit të marrëdhënieve njerëzore në “algoritme të thjeshta”. Ai u kërkoi ligjvënësve që të jenë vigjilentë kundër propagandës “partiake” dhe përçarjes në mediat sociale.
Në një fjalim për pjesëmarrësit e Rrjetit Ndërkombëtar të Ligjvënësve Katolikë, të cilët po mbanin konferencën e tyre vjetore në zonën e Romës, Papa Françesku vuri në dukje se rrjetet e mediave sociale mund të jenë një mënyrë për t’i ndihmuar njerëzit të kuptojnë se janë pjesë e diçkaje më e madhe se vetja.
“Në të vërtetë, ky është qëllimi i deklaruar i shumë platformave të mediave sociale, dhe sigurisht që shumë të mira ndodhin përmes këtyre mjeteve të komunikimit,”- tha Françesku.
Megjithatë,- tha Papa-, vigjilenca ishte e nevojshme, “pasi fatkeqësisht shumë prirje çnjerëzore që rezultojnë nga teknokracia gjenden në këto media”.
Ai përmendi përhapjen e qëllimshme të informacionit të rremë për njerëzit, lajmet e rreme dhe nxitjen e urrejtjes dhe të ndarjes. Françesku më tej dënoi atë që ai e quajti “propagandë partizane dhe reduktimin e marrëdhënieve njerëzore në algoritme të thjeshta”.
Një tjetër rrezik në rrjetet e mediave sociale është “një ndjenjë e rreme përkatësie, veçanërisht mes të rinjve, që mund të çojë në izolim dhe vetmi,”- tha ai.
Si një ilaç, Françesku mbrojti një “kulturë të takimit autentik, i cili përfshin një thirrje radikale për të respektuar dhe dëgjuar njëri-tjetrin, duke përfshirë ata me të cilët edhe mund të mos pajtohemi sa dhe si duhet”. Apnews
/rtsh.al/