Elbasan, abuzimet në OSSH, 3 në kërkim
ELBASAN- Operacioni i koduar " Indikatori" i zhvilluar nga sektori kundër krimit financiar pranë drejtorisë së policisë së qarkut të Elbasanit në bashkëpunim me prokurorinë e rrethit gjyqësor Elbasan ka vënë në pranga shtetasin Shpëtim Lamçja 35 vjeç pjestar i komisionit të vlerësimit të ofertave në ndërmarrjen e shpërndarjes elektrike Elbasan. Ai akuzohet për abuzim me tenderat në vitet 2004-2005-2006-2007. Gjithashtu janë shpallur në kërkim shtetasit Artan Topi 35 vjeç, Nikolla Tuke 54 vjeç dhe Ndriçim Banja 51 vjeç që të tre ish- drejtorë të ndërmarrjes së shpërndarjes elektrike sot O.S.SH Elbasan. Ata akuzohen për abuzim me fondet dhe tenderat e zhvilluara në këtë ndërmarrje në periudhën 2004-2007- Ndërsa nga gjykata e rrethit gjyqësor Elbasan është dhënë masa "arrest shtëpie" për Ilir Dervishhasani 54 vjeç dhe Qamil Memini 53 vjeç me detyrë kryeinxhinierë të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes Elbasan. Po kështu gjykata ka vendosur masën "Detyrim me paraqitje" për shtetasit Eduard Garunja 58 vjeç dhe Natsha Gjorga 51 vjeçe punonjës të O.S.SH-së Elbasan. Këta shtetas në bashkëpunim me njëri tjetrin gjatë viteve 2004, 2005, 2006, 2007 akuzohen se kanë abuzuar me fondet dhe tenderat e zhvilluara në këtë ndërmarrje.Vepra penale për të cilën ata akuzohen është "Shpërdorim detyre e kryer në bashkëpunim" .
(s.g/BalkanWeb)