E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projekti i 62 rrugëve në Tirane, brenda afateve

Bashkia e Tiranës ka pranuar se shumë shpejt dhe brenda afateve do të mbyllen sipas parashikimeve të projektit të gjitha rrugët e kryeqytetit që janë pjesë e këtij projekti rikonstruksioni 

TIRANE-Asfaltimi i 62 rrugëve të cilat janë të shpërndara në të 11 njësitë bashkiake, po ecën me ritmet e duhura. Bashkia e Tiranës ka pranuar se shumë shpejt dhe brenda afateve do të mbyllen sipas parashikimeve të projektit të gjitha rrugët që janë pjesë e këtij projekti rikonstruksioni. Ndërhyrja nuk ka të bëjë vetëm me shtrimin e tapeteve, por në shumë raste edhe në rregullimin e trotuareve, shtruarjen e tubacioneve të ujësjellës kanalizimeve si dhe shumë ndërhyrje të tjera rrugore, aty ku ka pasur edhe më shumë nevojë sipas projekteve të bashkisë.
Rikonstruksioni i rrugëve ka nisur pothuajse në pjesën më të madhe të segmenteve ndërkohë që te Kodra e Priftit, aty ku rruga lidhet me rrugën “Sadik Petrela”, është një segment i përfunduar. Projektet janë të shpërndara në të gjitha njësitë bashkiake. Vlera e punimeve për këtë projekt është përafërsisht 189 milionë lekë, ndërkohë që firma e kontraktuar nga Bashkia, është KIRCHBERGER ALBANIA& ALBSHPRESA sh.p.k. Punimet për asfaltimin e këtyre rrugëve, sipas përfaqësuesve të firmës do të përfundojnë brenda afateve të kontratës që kjo firmë ka lidhur me Bashkinë e Tiranës.
Edhe banorët kanë filluar të shprehin habinë për shpejtësinë e punimeve sidomos në disa prej segmenteve ndërkohë që puna nuk ka ndaluar edhe për shkak të motit të keq. Në pak raste rreshjet e shiut kanë penguar firmën që të hedhë tapetin mbi rrugë. Ndërkohë që për shkak të numrit të madh të rrugëve, ka pasur në disa raste edhe ndërhyrje të bashkisë, sidomos në rishikimin e disa projekteve në disa akse të brendshme.
Por përfaqësuesit e firmës sqarojnë se punimet për këto rrugë do mbarojnë në kohë, ashtu si dhe është nënshkruar kontrata. Me përfundimin e punimeve të këtij projekti do të rritet ndjeshëm cilësia e jetës në të gjitha njësitë bashkiake, duke u dhënë mundësi mijëra banorëve të mos ecin më mbi baltë. Evidentimi i këtyre rrugëve është bërë nisur nga kërkesat e komunitetit dhe të vetë njësive bashkiake, duke siguruar shpërndarje territoriale në të gjithë qytetin e Tiranës. Vlera e plotë e këtij investimi do t’i kushtojë buxhetit të Bashkisë 189 milionë lekë. Ndërkohë që punimet do të kryhen nga firma e cila ka fituar tenderin e kryer në muajin korrik, përkatësisht firma KIRCHBERGER ALBANIA& ALBSHPRESA sh.p.k. Sipas specialistëve bëhet fjalë për rrugë, infrastruktura nëntokësore e të cilave është në gjendje të mirë dhe nevoja e vetme paraqitet për një ndërhyrje vetëm në shtresat asfaltike. Pra firmat që kanë fituar tenderin po kryejnë hedhjen e tapeteve asfaltike në këto rrugë, të cilat kanë qenë një problem i madh për banorët e zonave. Kjo pasi në pjesën më të madhe të tyre ka munguar plotësisht asfalti. Ndërkohë që menjëherë me përfundimin e këtyre rrugëve, banorët do të kenë mundësi të kenë jo vetëm rrugët e shtruara, por në shumicën e rasteve edhe trotuaret, kalanizmet dhe në të tjera edhe ndriçimin.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›