Elbasan arrestohet avokati

Policia e Elbasanit arrestoi avokatin Bujar Dyrmishi 54 vjeç pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj gjyqtarit Xheladin Karkini. Ngjarja ka ndodhur në zyrën e gjyqtarit Karkini. Avokati ka shkuar në zyrë dhe i ka kërkuar gjyqtarit që të konsultohet me një dosje gjyqësore të një klienti të tij, por gjyqtari është shprehur se për momentin ishte i zënë e nuk kishte mundësi. Refuzimi i gjyqtarit dhe lënia për konsultë me dosjen për një kohë tjetër ka revoltuar avokatin i cili pas akuzave dhe kërcënimeve me fjalë ka vazhduar me konfrontim fizik duke e qëlluar në pjesë të ndryshme të trupit dhe fytyrë. Gjyqtari ka kërkuar ndihmën e policisë e cila ka shoqëruar për në komisariat avokatin Dyrmishi. Ndaj tij është ngritur akuza e sulmit ndaj gjyqtarëve gjatë kohës së ushtrimit të detyrës. Ndërkohë avokati ka dëshmuar në polici se nuk kishte ushtruar dhunë ndaj gjyqtarit dhe se gjithçka ka qenë debat me fjalë për një proces gjyqësor pasi nuk gjeti mirëkuptimin e gjyqtarit.