Elbasan, dy të arrestuar për abuzim me ujin
Elbasan - Përfundojnë në prangat e policisë, Kryetari i Shoqatës së Ujit dhe Sekretari i Shoqatës, shofer i kryetarit të Bashkisë Cërrik.
Sipas policisë, ata janë ndaluar, pasi akuzohen se në mënyrë të paligjëshme, duke falsifikuar dokumentet kanë përdorur ujin e Rezervuarit nr 1 në Cërrik për vaditjen e tokave të zonës për të përfituar paratë, kur ky rezervuar ishte pronë shteterore.
Arrestimi i tyre është bërë nga agjentët e policisë kundër Krimit Ekonomik.
“Agron Bozi, 31-vjeç dhe Neim Cano, 43-vjeç, që të dy banues në Cërrik në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë përdorur dokumente të falsifikuara për të ushtruar aktivitet privat të shoqatës së përdorimit të ujit në përdorimin e rezervuarit të ujit, pronë shtetërore e ish NB Cërrik dhe aktualisht po pronë shtetërore për disa vjet me radhë”- thanë burimet policore.
Nga ana e policisë janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi e konsiderueshme provash shkresore të cilat nga verifikimi që është bërë rezultojnë të falsifikuara.
Dy shtetasit e arrestuar akuzohen për falsifikim të dokumentave zyrtare, shpërdorim detyre, kundërshtim të punonjësve që kryejnë funksione shtetërore në bashkëpunim.