E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: BE-ja, edhe shtëpia e shqiptarëve

Tiranë- “Bashkimi Europian nuk është shtëpia e të tjerëve, por është edhe shtëpia e shqiptarëve”. Kështu e ka nisur fjalën e tij kreu i PS-së, Edi Rama gjatë takimit të zhvilluar sot, organizuar nga Instituti i Studimeve Ndërkombëtare

Sipas Ramës, pas “jo”-së irlandeze, konteksti është i moderuar dhe procesi i zgjerimit është tronditur. Në këtë kontekst, Shqipëria dhe marrëdhëniet e saj me të tjerët, janë ridimensionuar.

Ai e ka quajtur problemin, problem evropian, ndërsa Shqipëria duhet të jetë pjesë aktive e trajtimit dhe e zgjidhjes. Rama ka sjellë në kujtesë atë që ka ndodhur në Serbi dhe se në bazë të cilit model forca demokratike aty arriti të marrë pëlqimin e shumicës, në bazë të modelit evropian. Por, ky model, sipas tij, nuk është horizonti i kuq i epokës së shkuar.

Fjala e plotë e Edi Ramës

Modeli evropian në sytë e qytetarëve të kësaj zone të izoluar, është modeli i shanseve për zhvillim. Ky model rezultoi fitues në Serbi, sepse u përkthyer nga përfaqësuesit e forcave demokratike, si modeli i daljes nga kriza ekonomike, sociale dhe e punësimit. Argumenti më kumbues i fushatës së forcave demokratike në atë vend, ishte “Me ne në Evropë, për më shumë vende pune, zhvillim, integrim”.

Fakti, që në këtë mënyrë u zmbraps edhe me vështirësi të jashtëzakonshme, edhe pse në fije të perit, tundimi i tmerrshëm nacionalist, duhet të bëj të reflektojnë të gjithë, sepse kjo është një zmbrapsje jo përfundimtare e këtij tundimi dhe nuk është fundi i luftës me të shkuarën në Serbi dhe Ballkan, por është një betejë e fituar me to.

Në rast se shihet si një betejë e fituar për to, nga ana tjetër duhet kuptuar se forcat demokratike në atë vend dhe qeveria e sapokrijuar, nuk është në gjendje t’i plotësojë ekzigjencat e popullit të vet, pa një mbështetje shumë të fortë, shumë më pak burokratike dhe shumë më shumë substanciale të BE-së. Nga ana tjetër kemi modelin që na jep shembullin se si shtrirja e dorës nga BE, përtej kufijve burokratik, siç ndodhi me Maqedoninë, të cilës ju dha statusi i kandidatit, në momentin dramatik, mund të shpëtojë një vend. Dhënia e statusit të kandidatit të Maqedonisë, ishte jo vetëm gjëja e duhur, por edhe gjëja që duhet bërë me të gjitha vendet e tjera të izoluara, përfshi edhe Shqipërinë, në mënyrë që të marrin frymë më lehtësisht në proçeset e strukturimit shtetëror dhe ekonomik.

Po t’i referohemi situatës në Kosovë, jemi në po këtë zonë të ndërmjetme, midis një pritshmërie shumë të madhe, që vjen si një rezultat i një aspirate historike, por që çdo ditë e më shumë, do të shkojë duke u materializuar në nevojën për punësim, për edukim, për prodhim, për mbrojtje sociale dhe për gjithçka tjetër që përfaqëson modeli evropian dhe nga ana tjetër, rrezikut të vazhdueshëm të tundimeve që mund të bëhen prezentë përmes forcash shumë minoritare sot, por që nesër mund të luajnë rrezikshëm me kartën e varfërisë, të papunësisë, të mungesës së një sistemi të besueshëm edukimi, të mungesës të të gjithave hallkave të prodhimit, të mungesës sociale e kështu me radhë. Duke ardhur më poshtë, tek Shqipëria, e cila nuk i ka këto probleme që lidhen me historinë, apo me marrëdhëniet psikologjike me të shkuarën dhe me fqinjët, por që ka në të njëjtën kohë, të njëjtat probleme në rrafshin e ndërtimit të shtetit, të ndërtimit të një ekonomie të konkurrencës dhe të një shoqërie të meritës, jemi përsëri në këto kushte. Në rast se do të duhej të përcaktoja një tipar të përbashkët të dobësisë së të gjithë kësaj zone të izoluar të Evropës, do të ishte një sistem edukimi i falimentuar prej aq vitesh sa përbëjnë jetën e një gjenerate, asaj të re dhe nga ana tjetër, një strukturë shtetërore e re, e cila nuk arrin dot t’i përgjigjet qytetarëve me shërbimet e duhura dhe nga ana tjetër nuk arrin dot të garantojë standardet demokratike të lirive dhe të drejtave të barabarta të njerëzve, në raport me pronën, punën, mbrojtjen sociale e kështu me radhë. Këto kushte, për sa i takon çështjes ngushtësisht të vendit tonë, sa vjen dhe komplikohet problemi, me një performancë mizerabël të qeverisë shqiptare në rrafshin e luftës kundër korrupsionit, në kuptimin e modernizimit të shtetit, i cili sot në Shqipëri është shëmbëlltyra më e shëmtuar e marrjes peng të shtetit, për interesat e një pushteti të ndarë mes partish që administrojnë pjesë të shtetit të të gjithave, për interesa krejtësisht të pjesshme. Pra, një perfomancë të pamjaftueshme, për shkak të faktit se nga njëra anë një pjesë e rëndësishme e popullsisë, ajo pjesë që jeton në zonat rurale, nuk arrin dot të prodhojë, por përkundrazi është tërësisht e margjinalizuar dhe në një proçes kthimi mbrapa drejt strukturave mesjetare të jetës në zonat rurale, duke bërë që të jemi një vend, që sot ka një defiçit tregtar skandaloz, po të marrim faktin se eksportojmë një dhe importojmë shtatë në drejtim të fqinjve.

Pa dashur të shkojmë më tutje në këtë aspekt, dua të vij te pjesa e tretë e paraqitjes time, që ka të bëj me pozicionin tonë të opozitës, në këtë proçes. Kostoja e këtij izolimi, është shumë herë më e lartë se e integrimit për të dy palët, për BE-në dhe për Shqipërinë. Përtej aktualitetit dhe performancës tërësisht të pamjaftueshme qeverisëse, qëndrojnë disa arsye shumë të forta, tejet partiake, për të besuar se është një e domosdoshme, që ne, si klasë politike, të jemi kurajoz dhe të vendosur për të trokitur në derën e shtëpisë tonë, të shtëpisë evropiane, duke kërkuar përshpejtimin e proçesit të integrimit të Shqipërisë, në këtë shtëpi, sepse një sër kushtesh të parashtruara, si kushtet për të hyrë në këtë shtëpi, janë të paplotësueshme pa qënë brenda kësaj shtëpie. Argumenti se marrëveshja e stabilizim-asociimit, është një proçes, i cili duhet mbyllur plotësisht përpara se Shqipëria të hedhë hapin tjetër, është një argument i pamjaftueshëm, po të kemi parasysh, qoftë Kroacia apo Maqedonia, nuk e kishin përmbushur këtë proçes deri në fund kur kërkuan të hynin në një fazë më të avancuar apo se në historinë e BE, Spanja ose Austria, kanë bërë të njëjtën gjë, me të njëjtën vetëdije, se i përkasin një shtëpie që nuk është shtëpia e të tjerëve, por edhe e tyre. Nga ana tjetër, populli shqiptar, i cili është në unision për sa i takon proçeseve integruese të Shqipërisë, për sa i takon përkatësisë të tij në Evropë, si pjesë e qenësishme e historisë dhe të ardhmes së Evropës, ka mbetur peng i një ndarjeje dramatike të shkaktuar nga politika dhe për arsye të politikës dhe politikanëve, jo për arsye të vet popullit. Duke ju referuar NATO-s, Shqipëria mund të ishte kohë më parë, sepse vullneti i popullit shqiptar, ka qenë që në krye të herës një vullnet i përbashkët, 100 % konsensual për të qenë pjesë e NATO-s, por nga ana tjetër, një Shqipëri e cila në sytë e partnerëve ndërkombëtar është paraqitur vijimësisht si një Shqipëri e ndarë më dysh mes kampesh politikesh, që kanë jetuar në një konflikt fiziologjik mes tyre, pa dyshim që i ka vonuar jashtëzakonisht shumë shqiptarët në proçesin e integrimit në NATO, padrejtësisht dhe pa dyshim, padrejtësisht në radhë të parë për shkak të përgjegjësisë së drejtpërdrejt të atyre që i kanë qeverisur dhe që i qeverisin.

Nga ana tjetër, do të nënvizoja faktin se këto janë arsye të mjaftueshme për të patur një përqasje të re ndaj kësaj zone të izoluar, që mbetet vrima e zezë në mes të hartës së BE.

Një përqasje e re, do të thotë një kapërcim i një sërë gjykimesh, standardesh, lidhur me proçesin e integrimit, duke e konsideruar historinë e këtyre vendeve, kapacitetet edhe për shkak të historisë, duke e konsideruar dramaticitetin e gjithë periudhës që pason rënien e murit të Berlinit në historinë e këtyre vendeve dhe duke konsideruar domosdoshmëri që gjeneratës më të re, t’i jepet një dorë solidariteti shumë më e vendosur. Qoftë thjesht dhe vetëm fakti që sot të rejat dhe të rinjtë, në këtë zonë të izoluar të Evropës, nuk arrijnë dot të lëvizin as aq lirisht sa të rejat e të rinjtë e Koresë së veriut, është një fakt i mjaftueshëm për një përqasje të re ndaj kësaj zone dhe posaçërisht ndaj Shqipërisë.

Në rast se Maqedonia mori statusin e vendit kandidat në një moment dramatik të historisë së saj dhe kjo i dha një frymëmarrje jashtëzakonisht të rëndësishme popullit maqedonas dhe një shtytje shumë të rëndësishme proçesve të zhvillimit dhe integrimit të Maqedonisë. Në rast se Serbia mori një tjetër mbështetje të domosdoshme, por njëkohësisht edhe përtej çdo kufiri burokratik, duke i dhënë një shans të madh forcave demokratike dhe nga ana tjetër duke hapur rrugën për një tjetër mbështetje të rëndësishme, mendoj se këto janë lëvizjet e duhura në drejtimin e duhur, por nga ana tjetër Shqipëria nuk mund të penalizohet për shkak se nuk krijon probleme. Ky është një moment i cili duhet të jetë pikë refleksioni e thellë e Brukselit dhe e mënyrës se si proçesi i integrimit kthehet në një incentiv për popujt që e ëndërrojnë Evropën dhe ata popuj që sot janë jashtë Evropës, jo për shkak të vullnetit të tyre, por për shkak elitash politike të korruptuara apo të paafta. Shqipëria nuk mund të penalizohet sepse nuk përbën problem, nuk mund të penalizohet, sepse qysh në krye të herës, ka qënë faktori më i qëndrueshëm i stabilitetit në rajon dhe qysh në krye të herës i ka dhënë gjithçka që ka patur fuqi proçeseve demokratike, të paqes dhe mirëkuptimit të vendeve të Ballkanit.

Roli i Shqipërisë, luajtja me vendosmërinë e këtij roli dhe qëndrimi gjithmonë në krah të partnerëve dhe miqve tanë, për gjithçka që ka pasur të bëj me Ballkanin, është një arsye e mjaftueshme që Shqipëria të marrë atë që duhet ta marrë dhe me të drejtë kanë marrë të tjerët në rajon. Nga ana tjetër, i takon qeverisë shqiptare të hapi sytë dhe të gjej rrugën, për të ecur me konsensus në këtë drejtim, duke hapur njëkohësisht edhe një proçes të një bashkëpunimi të ri, shumë më afatgjatë, me të gjitha vendet e kësaj zone, për të pasur edhe në këtë sens, një përqasje të përbashkët, për të bërë edhe atë që na takon në raport me vendin, popullin tonë dhe Bashkimin Europian.”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›