E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, gjykata: ‘30 ditë burg’ për peshëngritësin Daniel Godelli

ELBASAN – Gjykata e Elbasanit pranoi kërkesën e Prokurorisë dhe vendosi masën e sigurisë “30 ditë burg” për peshëngritësin Daniel Godelli, i cili akuzohet për armëmbajtje pa leje. Pala mbrojtëse kërkoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, por gjykata e la në burg sportistin 20-vjeçar.

Për të dytën herë, peshëngritësi Daniel Godelli u arrestua nga policia e Elbasanit për armëmbajtje pa leje. 20-vjeçari u arrestua mesnatën e së enjtes në qendër të qytetit të Peqinit, teksa ishte duke shëtitur me një mjet tip Audi me targa të huaja.

Uniformat blu bënë të ditur se kontrolli në mjetin, i cili drejtohej nga peshëngritësi, nuk ka qenë i rastësishëm, pasi ai është bërë në bazë të disa informacioneve që policia kishte marrë në rrugë operative.

Në momentin që janë ndaluar dy të rinjtë, në automjet u janë gjetur dy pistoleta, të cilat paraprakisht dyshohet të jenë në pronësi të Daniel Godellit.

Dy vjet më parë ish-kampioni ndërkombëtar është arrestuar për të njëjtën arsye, pasi në banesë i janë gjetur armë zjarri dhe municione të tjera luftarake.
20-vjeçari u bë i njohur në arenën sportive në korrik të vitit 2008, kur u shpall kampion i Europës në stilin e shkëputjes në Francë për moshat 17-vjeçare.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›