Elbasan, institucion i pavarur për kontrollin e rrugëve
Bashkia e Elbasanit, nismë për rritjen e cilësisë së asfaltimit. 19 rrugë nën kontroll për cilësinë
ELBASAN - Bashkia e Elbasanit vendos të realizojë një kontroll të supervizorëve të firmave që kanë shtruar 19 rrugë në këtë qytet përgjatë sezonit 2008-2009. Të 19-ta këto rrugë do të kontrollohen për cilësinë e asfaltit nga një institucion i pavarur dhe i licencuar për këtë proces. Nisma e Bashkisë së Elbasanit vjen pas besimit të ulët tek supervizorët për të garantuar cilësinë e asfaltimit të rrugëve të qytetit. Mësohet se shkak për këtë nismë kanë qenë edhe ankesat e banorëve për materiale jocilësore të përdorura për shtrimin.
Nisma
Institucioni vendor po kërkon një institucion të specializuar për kontrollin e cilësisë së materialeve të përdorura për shtrimin e rrugëve. Kështu, fillimisht bashkia iu drejtua laboratorit të Universitetit të Elbasanit, por për shkak të mungesës së aparaturës së posaçme kjo marrëveshje nuk u arrit. Pritet që synimi i bashkisë të shtrihet përtej Elbasanit e më konkretisht me një institucion privat në Tiranë i cili realizon analiza të tilla. Sipas burimeve zyrtare, në rast se shtresat do të dalin me probleme, atëherë bashkia do të pengojë lëvrimin e parave derisa firmat të ribëjnë rrugët e të përdorin materiale cilësore.
Nënkryetari i bashkisë, Serafin Papa, thotë se kjo nismë bëhet në kuadrin e rritjes së cilësisë, që rrugët të mos shkatërrohen brenda pak kohësh, por të jenë rezistente. "Bashkia Elbasan në kuadrin e rritjes së cilësisë të sistemim-asfaltimit të rrugëve të qytetit të Elbasanit ka marrë në angazhim që të bëhet kontrolli i cilësisë duke pasur parasysh edhe disa ankesa nga qytetarë të ndryshëm.
Për këtë qëllim Bashkia do të lidhet me një institucion të licencuar, i cili do të sigurojë pajisjen për kontrollin e cilësisë 2008-2009, - shprehet Papa. - Gjatë sistemim-asfaltimit të rrugëve çdo segment ka një supervizor dhe një kontrollues. Fakti që ka shqetësime për cilësinë, ne do të bëjmë një rikontroll që do të bëhet nga një institucion i pavarur. Në rast se cilësia do të rezultojë jo në përmasat e parashikuara në projekt, atëherë do të merren masa ndaj firmave duke mos i shlyer detyrimet derisa ato ta ribëjnë rrugën duke arritur standardin e kërkuar, - përfundon nënkryetari i bashkisë.
Investimet
Në qendër të investimeve gjatë viteve të fundit kanë qenë sidomos rrugët dytësore në lagje të ndryshme të qytetit. Kryesisht investimet janë bazuar në kërkesat e qytetarëve bazuar në projektin buxhetim me pjesëmarrje. Prej 4 vjetësh, në Bashkinë e Elbasanit është vënë në funksion modeli i ri i komunikimit me qytetarët mbi investimet që bëhen në komunitet.
Kështu çdo fund viti specialistë të bashkisë dhe Komisioni Qytetar zhvillojnë takime në lagje me banorë të tyre duke marrë nga ata shqetësimet përsa iu përket investimeve që kërkohen.
Pasi marrin kërkesat e banorëve, bëhet një analizë dhe seleksionim duke përcaktuar rrugët prioritare që do të rikonstruktohen me buxhetin e vitit në vazhdim. Kjo formë ka rezultuar e suksesshme pasi shumë rrugë dytësore tashmë janë rikonstruktuar.