E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italia merr Gladiatorin

Nderohet me çmimin e karrierës Dhimitër Anagnosti. Gladiator edhe për premierën "Gjallë!" të Artan Minarollit, i cili vlerësohet me çmimin e jurisë. "Tre majmunët", i regjisorit turk, Nuri Bilge Ceylan, filmi më i mirë në Ballkan



"La Pivellina", i regjisorëve Tizza Covi dhe Rainer Frimmel, ka rrëmbyer mbrëmjen e djeshme "Gladiatorin e artë", në Festivalin Veror të Filmit që u zhvilluar përgjatë kësaj jave në qytetin e Durrësit. Bashkëprodhimi italo-austriak u cilësua nga juria si filmi më i mirë i këtij edicioni të dytë të festivalit.

Në qendër të historisë është Asia dyvjeçare, të cilin e gjen të braktisur në park Patti, një akrobate cirku. Patti jeton më të shoqin Walter, në një karvan në San Basilio, në rrethinat e Romës. Është Tairo, një adoleshent, i cili jeton me gjyshen e tij në një tjetër rulote, ai që ndihmon Pattin për të kërkuar të ëmën e Asias dhe e strehon vajzën për një periudhë të pacaktuar kohore. "La Pivellina" është cilësuar si një film që rrëfen botën e të përbuzurve në Italinë e ditëve tona, një histori prekëse mbi kurajën dhe diskriminimin, humbjen dhe bashkimin, një shikim përtej gardhit mbrojtës të komunitetit të mbrojtur. Një histori e cila u rrëfye nga aktorët Patrizia Gerardi, Walter Saabel, Tairo Caroli dhe Asia Crippa.

Juria ka vlerësuar me Çmimin special filmin "Gjallë!", të regjisorit shqiptar Artan Minarolli, i cili në këtë festival pati edhe shfaqjen e tij të parë në publik, në kategorinë "Ballkan World".

Çmimi i karrierës i është dhënë regjisorit Dhimitër Anagnosti. Në seksionin retrospektiv të Festivalit Veror të Filmit u shfaq vetëm një film, pikërisht prodhimi i tij i fundit, "Gjoleka djali i Abazit". Anagnosti nuk ndodhej në Amfiteatrin e Qytetit të Durrësit për të tërhequr çmimin, këtë detyrë e kryen vajzat e tij. Dhe e njëjta situatë do të përsëritej për çdo fitues: do të vinte një përfaqësues për të tërhequr "Gladiatorin".

Po kështu nuk ishte e pranishme as Betty Qizmolli, e cila u vlerësua si aktorja më e mirë për interpretimin e saj në filmin "Katia's sister", të regjisorit holandez, Mijke de Jong.
"Gladiatori i artë", si aktori më i mirë i këtij festivalit, i shkoi aktorit belg, Ben Van Ostade, për interpretimin e tij në "Happy together" të regjisorit Geoffrey Enthoven.

Në kategorinë "Balkan World", ku konkurronin filma të rajonit, u vlerësua si filmi më i mirë drama turke "Tre majmunët", e regjisorit, Nuri Bilge Ceylan.

Katër karaktere: një çift, djali i tyre dhe pronari i burrit, i janë dashur Ceylan për të ndërtuar një film. Ai tregon se mundësia e vetme që ka kjo familje për të qëndruar e bashkuar është duke bërë të verbrin, të shurdhrin dhe budallanë ndaj problemeve. Një familje e shpërndarë, në të cilën dështimet shndërrohen në gënjeshtra ekstravagante. Një familje që është tepër e dobët për t'u përballur me vështirësitë dhe përgjegjësitë dhe zgjedh të injorojë të vërtetën, të mos shohë, dëgjoje apo flasë mbi të.

Juria e kritikës (që ishte herë të parë këtë vit), e përbërë nga Deborah Young, Ben Andoni, Milena Selimi i dha Çmimin e Kritikës filmit "Palermo Shooting", të regjisorit Wim Wenders.

Për herë të parë në Festivalin Veror të Filmit u dha çmimi "Pjata e argjendtë e Durrësit", me të cilën u nderua regjisori i filmit "Il Divo", Paolo Sorrentino.

Ndërsa regjisori më i mirë do të vlerësohej Stephan Komandarev për realizimin e filmit " The world is big and the salvation lurks around the corner".

Festivali i zhvilluar më 22-28 gusht në qytetin bregdetar, ndonëse i ri në traditë, nuk ngjalli ndonjë interes të madh tek qytetaret apo pushuesit e Durrësit. Në oraret e mesditës ishin të pakët ata që preferonin të mbylleshin në një sallë kinemaje për të parë dramat që vinin nga qytete të ndryshme evropiane. Salla e teatrit "Aleksandër Mojsiu", do të mikpriste në këto orë jo më shumë se 15 shikues. Nuk ishte më i lartë numri as në oraret e pasdites, kur, për shembull, projektohej "Tre majmunët", film me të cilin një vit më parë, Nuri Bilge Ceylan, fitoi çmimin si regjisori më i mirë në festivalin e Kanës.

Çmimet

Filmi më i mirë "La Pivellina", regjia Tizza Covi dhe Rainer Frimmel

Çmimi special i jurisë, "Gjallë!", regjia Artan Minarolli

Filmi më i mirë në Ballkan "Tre Majmunë", Nuri Bilge Ceylan,
Çmimi i Karrierës, Dhimitër Anagnosti
Çmimi i Kritikës "Palermo Shooting", regjia Wim Wenders
Aktori më i mirë, Ben Van Ostade, "Happy together"
Aktorja më e mirë, Beti Qizmolli, "Katia's sister"
Regjisori më i mirë, Stefan Komandaren, " The world is big and the salvation lurks around the corner"
Pjata e argjendtë e Durrësit, Paolo Sorrentino "Il Divo"


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›