E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan policia rrugore aksion ne rruge

Të paktën shtatë motoçikleta që qarkullonin në qytet pa targa dhe dokumentacionet përkatëse janë bllokuar sot gjatë një aksioni rutinë ndërmarrë nga Shërbimet e Policisë Rrugore në Elbasan. Sipas zëdhënës Valbona Begu, “shërbimet e Policisë rrugore kanë ushtruar gjatë ditës së sotme një aksion të shoqëruar me kontrolle të rrepta në akset kryesore të qytetit, për të ndaluar përdorimin e motoçikletave pa targa si dhe të atyre që i përdorin ato pa kaskën mbrojtëse”.

Sipas Begut, “drejtuesit e këtyre mjeteve, pjesa më e madhe adoleshentë, krahas rrezikut të aksidenteve të mundshme që shkaktojnë në rrugë, janë ndëshkuar dhe me gjoba përsa i përket respektimit të rregullave të qarkullimit rrugor” .

Aksioni i cili ka zgjatur rreth tre orë ka bërë të mundur bllokimin e motoçikletave si dhe vendosjen e dhjetra gjobave për mospërdorim të kaskave mbrojtëse.

Aksioni i policisë rrugore të Elbasanit, sipas Begut, do të vazhdojë me kontrolle të kësaj natyre edhe në tri nënprefektuarat e këtij qarku, pasi sipas statistikave mësohet se pjesa më e madhe e aksidenteve të ndodhura në qark ka ardhur si pasojë e qarkullimit të motoçikletave nga drejtuesit amatorë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›