Elbasan, rikonstruksioni i Poliklinikës, Koçiu: Ekzaminime ambulatore e laboratorike për 400 mijë banorë

Në qytetin e Elbasanit është drejt përfundimit rikonstruksioni tërësor i Poliklinikës së Specialiteteve. Lajmi u bë i ditur të shtunën nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, e cila, nëpërmjet një postimi në rrjetin e saj social Facebooo, shkruan se, “rikonstruksioni nga e para e poliklinikës, do të ofrojë standarde bashkëkohore, ambiente të transformuara, zgjerim të kapaciteteve pritëse dhe aparatura të teknologjisë së fundit”.
“Poliklinika Specialiteteve do të ofrojë akses të shpejtë dhe shërbime cilësore në 19 specialitete të ndryshme të sëmundjeve të brendshme dhe ekzaminime ambulatore e laboratorike për 400 mijë banorë”, shkruan ministrja.
Koçiu bëri të ditur se, do të vijojnë pa u ndalur me investimet në infrastrukturën shëndetësorë edhe përgjatë vitit 2024, për ofrimin e shërbimeve për qytetarët afër vendbanimit.
/rtsh.al/