Elbasan, vidhen zyrat e Myftinisë
ELBASAN- Gjatë natës së fundit persona të paidentifikuar kanë vjedhur me forcë zyrat e Myftinisë së Elbasanit të cilat ndodhen në lagje Aqif Pasha të këtij qyteti. Sipas burimeve zyrtare të policisë, grabitësit kanë shqyer me mjete të forta derën kryesore të zyrave të Komunitetit Mysliman në Elbasan me qëllim grabitjen e kasafortës Duke qënë se nuk e kanë arritur qëllimin për të hapur kasafortën, ata kanë marrë kompjuterat dhe pajisje të ndryshme logjistike që ndodheshin në këto zyra. Grabitja u konstatua nga persona të rastësishëm që kanë kaluar paraditen e sotme pranë zyrave të Myftinisë. Nga hetimet paraprake të grupit hetimor të Komisariatit të policisë së Elbasanit dyshohet që vjedhja të jetë kryer gjatë mesnatës pasi më herët , sipas banorëve të pallatit ku ndodhen zyrat e Myftinisë nuk është konstatuar dëmtimi i derës së saj. Vjedhja e zyrave të myftinisë së Elbasanit shënon kështu edhe vjedhjen e parë në vitin 2010 për qarkun e Elbasanit. (e.n/News24/BalkanWeb)