Dalja e lumenjve nga shtrati shkakton përmbytje në Shkodër

Rritja e nivelit të ujit në Lumejtë Bunë dhe Drin ka shkaktuar përmbytje në disa komuna të qarkut të Shkodrës. Përmbytje janë shënuar në Komunat Bërdicë, dhe Ana e Malit, ndërsa situatë emergjente paraqitet në fshatin Obot, ku uji ka bllokuar rrugën.
Sipas gazetarit të "RTV Ora News" në Shkodër, nuk ka shtëpi të përmbytura, por nga ana tjetër, uji ka pushtuar dhjetra hektarë tokë bujqësore. Theksohet se situata është emergjente.
Ndërkaq, Shtabi i Emergjencave në Shkodër u mblodh për të diskuatuar marrjen e masave për menaxhimin e situatës.
Në mbledhjen e shtabit u vendos marrja e masave për mbajtjen nën kontroll të situatës, dhe mos lejimin e përshkallëzimit.
Prefekti i Shkodrës, Maxhid Cungu, në rolin e kreut të Shtabit të Emergjencave, tha se të gjitha strukturat janë në gadishmëri për të ndërhyrë për normalizimin e situatës.
Por, situata mbetet ende e tensionuar, pasi pritet një hapje e mundshme e portave të Hidrocentralit të Vaut të Dejës.
Sipas të dhënave, prurjet në këtë hidrocentral janë të shumta, ccka mund të detyrojë hapjen e portave për shkarkim. Nga ana tjetër, hapja e portave në këtë situatë mund të krijonte përmbytje në disa fshatra të tjerë të qarkut të Shkodrës.
Herën e fundit portat u hapën në vitin 2004 duke përmbytur qindra banesa. Dëmet në këto zona ishin shumë të mëdha. Autoritetet kanë njoftuar banorët të marrin masa. Situatë e ngjashme në rrethin e Shkodrës u shkaktua edhe disa ditë më parë.
Hapja e portave të hidrocentralit të Vaut të Dejës shkaktoi përmbytje në disa komuna të Shkodrës.