Elbasani, autoritar vetëm në stadiumin Ruzhdi Bizhuta
Verdheblutë nuk gabojnë në fushën e tyre, por jashtë nuk kanë marrë ende fitoren e parë
Elbasani edhe një herë ka treguar se nuk fal në fushën e tij, ku të shtunën mundi minimalisht Kukësin, që deri tani po shfaqet si një rival i denjë për superligën. Edhe pse me një rezultat minimal, për verdheblutë e rëndësishme është që kanë marrë 3 pikët. Këtë radhë ka menduar shkodrani Elhan Galica, i cili ka shënuar golin vendimtar pas 6 minutash lojë.
Elbasani mbetet kështu pranë vendeve të kreut, ndërkohë që ka një ndeshje më pak, atë me Luftëtarin në transfertë, ku i mbetet shumë për të bërë, sepse deri tani ka lënë për të dëshiruar. Madje, edhe në Ruzhdi Bizhuta, këtë radhë Elbasani nuk arriti ta dominonte ashtu si në ndeshjet e mëparshme. Ekipi i drejtuar nga trajneri File ka lëshuar në lojë, por në fund ia ka dalë për të marrë fitoren e radhës në shtëpi.
Autoriteti Emri dhe tradita bën që Elbasani të tregojë autoritet në fushën e tij, sepse ka një fanellë, që, në krahasim me ato të ekipeve të tjera të kategorisë së parëi, peshon më shumë. Por këtë autoritet verdheblutë duhet ta tregojnë edhe jashtë fushe, sepse superliga nuk sigurohet vetëm me 3-pikësha në shtëpi.
Dhe pikërisht transfertat janë shqetësimi kryesor i drejtuesve të Elbasanit, që në 3 ndeshje ka marrë vetëm 1 pikë, konkretisht në fushën e Skraparit, kurse në Lezhë dhe në Lushnjë është mundur thellë. Gjithsesi, në Elbasan besojnë se situata do të ndryshojë për mirë dhe ekipi do të kthehet me fitore edhe nga ndeshjet jashtë. Ndërkohë, pozitiv është fakti se verdheblutë i kanë kaluar përplasjet me rivalët dhe përpara kanë ndeshje më të lehta në pamje të parë.
Butrinti Është shuar shpejt entuziazmi i fitores për verdheblutë, që kanë nisur të përgatiten dje për Butrintin. Është kjo transferta, ku shpresohet të bëhet kthesa dhe Elbasani të marrë fitoren e parë jashtë. Elbasanasit kanë luajtur një miqësore në verë në Sarandë, që do të thotë se Butrintin e njohin deri diku. Elbasanasit janë të favorizuar nga fakti se kjo ndeshje do të luhet pa praninë e tifozëve vendës. Duke gjykuar edhe nga përbërja e dy ekipeve, mund të thuhet se janë të gjitha shanset për të marrë 3 pikët në Sarandë, por gjithçka mbetet për tu parë.
