Raboshta: Me Burrelin, Luftëtari më i mirë deri tani
Sulmuesi shkodran, Jasmin Raboshta, flet me superlativa për ekipin ku bën pjesë dhe beson se do të merren pikë edhe në Kavajë
Jasmin Raboshta është autori i golit të parë për ngjyrat e Luftëtarit në këtë kampionat. Ai u parakalua më pas nga Mersini, Sinani dhe Nora, të gjithë me nga 2 gola, por në ndeshjen me Burrelin i barazoi dhe nuk deshi fati ti kalonte, sepse pati tri raste, njëri nga të cilët ishte 11-metërsh. Raboshta dhe dy shkodranët e tjerë, Baci, që realizoi golin e dytë, dhe Selimaj, që grushtoi një penallti, të ndihmuar nga gjithë të tjerët, ishin protagonistët e fitores së pastër dhe të merituar ndaj Burrelit.
Luftëtari kryeson renditjen dhe ka rezervë një ndeshje të prapambetur, atë me Elbasanin, që do të luhet në Gjirokastër, më 16 nëntor. Por deri atëherë do të ketë edhe përplasje të tjera, ku e para është me Besën në Kavajë. Edhe kavajasit mbetën viktimë në Lezhë, ashtu si edhe Luftëtari më parë, ku ka pësuar të vetmen humbje deri tani. Kuptohet që Besa, si një ndër tri ekipet e tjera më me tradita, nuk do ta treste një humbje tjetër në fushën e saj, ndaj kjo përballje është tepër e vështirë për të dyja palët dhe pa dyshim ndër më interesantet
Raboshta Për fitoren e fundit dhe sfidën e Kavajës, sulmuesi Raboshta thotë: Jam i gëzuar dhe krenar, që Luftëtari arriti fitoren e 6të këtë kampionat dhe qëndron në krye të renditjes, duke pasur dhe një ndeshje më pak. Shënova gol, por edhe humba një 11-metërsh e ndonjë rast tjetër, që në lojën e futbollit kanë ndodhur dhe do të ndodhin.
Ishte loja më e mirë dhe më rezultative e Luftëtarit deri tani dhe shenjat janë për rritje të mëtejshme. Kjo do të ndodhë në sajë të punës që është bërë dhe do të bëhet, por edhe të lojës harmonike dhe kolektive që bëjmë, duke zbatuar me përpikëri detyrat që na jepen. Ndeshja e radhës me Besën, duke qenë në transfertë, kërkon mënyrën e saj të përballimit.
Mundësitë e Luftëtarit janë që, me kujdesin e duhur, ta kalojë me sukses edhe këtë duel, që sigurisht do të jetë tepër i fortë. Për mendimin tim, është një ndeshje e hapur dhe mund të regjistrohet çdo rezultat. Gjithçka varet nga fakti se kush do të gabojë më pak, por dhe fati, që ka pjesën e tij në këtë lojë, që mund të zgjidhet edhe nga ndonjë episod. Gjithsesi, jam optimist se do të marrim pikë në Kavajë.
4 lojtarë
Të ekipit gjirokastrit kanë shënuar deri tani nga 2 gola. Ata janë sulmuesit Raboshta dhe Nora, mesfushori Mersini dhe mbrojtësi Sinani
2 shkodranë
Të Luftëtarit shënuan në ndeshjen e fundit, Raboshta dhe Baci, ndërsa shkodrani tjetër, portiere Selimaj, e ruajti rrjetër të paprekur
