E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qirjako: Gramozi shpërdoroi raste flagrante në Vlorë

Nga Kristi LIlo

Trajneri i kolonjarëve, Ilir Qirjako, pranon se të tijtë luajtën dobët në ndeshjen e fundit

Kolonjarët kanë prishuar serinë e humbjeve në transfertë, duke marrë një pikë në fushën e Vlorës, pas barazimt pa gola me të. Ky është rezultati i dytë pozitiv jashtë fushe për Gramozin, që ka fituar në Kavajë javën e parë. Megjithatë, drejtuesit e ekipit nuk kanë mbetur të kënaqur nga loja, duke e konsideruar ndeshjen e fundit një nga më të dobëtat në këto 8 javë. Trajneri Ilir Qirjako thekson se ekipin e tij e ndihmoi shumë fati në Vlorë, ku futbollistët nuk ishin në një ditë të mirë.

Përveç portierit Dervishi, që ishte në formë shumë të mirë, por edhe Peçit, Shehut dhe Kodrës, të tjerë lanë shumë për të dëshiruar në Vlorë. Kemi pasur edhe raste në atë ndeshje, por sulmuesit tanë kanë gabuar edhe atëherë, kur e kishin më të lehtë për ta dërguar topin në rrjetë sesa për ta nxjerrë jashtë. Një rast flagrant u shpërdorua në pjesën e dytë, kur lojtari ynë, fare pranë portës, e ka dërguar topin mbi tra.

Dua të veçoj gjykimin në ndeshjen e fundit, që tregoi se edhe në kategorinë e parë ka ndryshuar gjykimi. Treshja nga Fushë-Kruja ka bërë një gjykim shumë të mirë. Po ashtu, dua të falënderoj edhe drejtuesit e Vlorës dhe lojtarët e dy ekipeve për korrektësinë që treguan në fushë. Tashmë ky takim është lënë pas dhe duhet të mendojmë për sfidat e radhës, sepse Gramozi kërkon një nga 5 vendet e para, tha mes të tjerash trajneri Qirjako.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›