E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasani, çështja e ditës mbetet sulmi

Nga Elton Karaj

Përveç brazilianit Uashington, drejtuesit verdheblu po shohin edhe mundësi të tjera. Pritet surpriza e minutës së fundit nga presidenti Laze

Pas barazimit në miqësoren me Besën, Elbasani i është kthyer dje stërvitjes së zakonshme në kompleksin Shefqet Lamçja. Grupi është i plotë dhe stafi teknik pret edhe ndonjë përforcim nga merkatoja e dimrit. Para së gjithash, pritet një sulmues me përvojë, që do të jetë titullar, në vend të Galicës.

Pista e fundit ishte ajo e brazilianit Uashington, por në këtë drejtim nuk ka ende asgjë zyrtare dhe drejtuesit verdheblu po shohin edhe mundësi të tjera, pasi po afron edhe fundi i merkatos së dimrit. Sulmi është çështja e ditës për trajnerin File, ndërkohë që presidenti Arben Laze ka treguar më parë se i pëlqejnë surprizat e minutave të fundit.

Kështu bëri ai edhe në merkaton e verës, duke afruar disa lojtarë, që e forcuan ndjeshëm ekipin verdheblu, ndaj dhe goditja për një sulmues mund të bëhet pikërisht në fund. Nga burime konfidenciale mësohet se presidenti Laze është në bisedime me dy sulmues të kampionatit shqiptar, njëri prej të cilëve mund të bashkohet shumë shpejt me verdheblutë.

Elbasani i fazës së dytë pritet të jetë një ekip më i fortë, që do të tentojë të rekuperojë shumë pikë edhe në transfertë, por për këtë i duhet patjetër një nga ata që etiketohen si sulmues race.

Gjendja Gjërat kanë shkuar mirë për Elbasanin sa u takon përgatitjeve, gjë që e kanë konfirmuar edhe 4 ndeshjet miqësore. Verdheblutë kanë fituar 1 dhe barazuar 3. Në pamje të parë, duke pasur parasysh kundërshtarët, dy prej të cilëve nga superliga, janë rezultate premtuese, por janë vetëm miqësore.

Elbasani ka fituar 3-1 me Shkumbinin dhe ka barazuar pak ditë më pas 3-3 me Gramshin në Ruzhdi Bizhuta. Verdheblutë kanë luajtur edhe dy miqësore në fushën e vjetër Shefqet Lamçja, ndaj Laçit dhe Besës, duke barazuar 0-0 dhe 1-1. Pozitiv është fakti se skuadra e drejtuar nga trajneri File ka treguar nivel të kënaqshëm loje, duke dhënë shpresa për një fazë të dytë rezultative, që do të sjellë të paktën një vend në play-off.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›