E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama, i kënaqur me sezonin e parë

Valdet Rama ndihet i kënaqur me sezonin e parë në Orebro. Sulmuesi kosovar realizoi 8 gola dhe dha 2 asistime në sezonin e parë në Allsvenskan. 24 vjeçari tregon se kishte probleme me komunikim, pasi nuk e njeh suedishten. Ai e pranon se në të ardhmen synon të luajë në një ligë më të rëndësishme. Mirëpo, përfaqësuesi kosovar premton se këtë vit do të jetë edhe më i dobishëm për bardhezinjtë.

Valdet Rama kaloi një sezon fantastik me Orebron. Sulmuesi kosovar ishte njëri ndër lojtarët e paktë që shkëlqeu në fanellën e ekipit suedez. Ai realizoi 8 gola dhe dhuroi 2 asistime në sezonin e parë në Allsvenskan. Ish futbollisti i Hannoverit u bë shumë shpejt lojtari i preferuar në klubin suedez pas paraqitjeve me klasë të lartë.

“E kam dhënë më të mirën nga vetja, por nuk është gjithmonë e lehtë sepse më kanë përshkuar edhe lëndimet”, ka thënë Rama për ueb faqen suedeze FotbollDirekt.se. Ai e pranon se në vitin e parë në Suedi hasi në një vështirësi tjetër. “E kisha vështirë me gjuhën, sepse unë nuk flas suedisht. Flas deri diku anglisht”, vazhdoi ai.

Orebro kohë më parë e emëroi selektorin e përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaku, si trajner të ekipit U-21. Rama uron që tash e tutje komunikimi me shtabin teknik do të jetë më i mirë. Rama dhe Bunjaku kanë raporte mjaft të mira.

“Është e qartë se do të jetë mjaft e dobishme për mua që Alberti do të jetë këtu. Unë flas shpesh me të dhe ai më ndihmon, duke m’i interpretuar gjërat që nuk i kuptoj”, shtoi 24 vjeçari.

Sulmuesi i krahut ishte transferuar në Orebro nga klubi gjerman Hannover. Ai thotë se do të angazhohet fort për t’u rikthyer më i fortë në futbollin gjerman. “Si çdo lojtar tjetër, edhe unë dëshiroj të luaj në kampionate të rëndësishme. Pasi që kam luajtur më parë në Bundesligë, e di se si funksionin niveli i lartë. Do të ishte e bukur të kthehem në futbollin gjerman. Por, njëherë duhet të presim se çka do të ndodhë”, nënvizoi përfaqësuesi kosovar.

Rama thotë se nuk e ka bërë ende planin se kur do ta bëjë hapin e radhës, pasi që po e shijon eksperiencën në Suedi. Ai mund të rrijë në Orebro edhe gjashtë muaj, ndoshta edhe një vit apo edhe më shumë. Ai është i koncentruar plotësisht në sezonin e ri me fanellën bardh e zi. Futbollisti ofanziv premton se do të mundohet të bëhet edhe më i rëndësishëm në vitin 2012.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›