E Diel, 1 Nëntor 2026

Premçi: Kukësi më dha Shpresën, me të edhe në superligë

Erjon SALIU

Mbrojtësi Elvis Premçi po fiton eksperiencë me kuksianët dhe u premton atyre besnikëri edhe për sezonin e ardhshëm

Kukësi debutues ka zhvilluar një fazë të parë shumë të mirë dhe në fund të saj ka zënë vendin e dytë, madje me një ndeshje më pak. Gjithçka është arritur falë investimit të bërë nga presidenca kuksiane dhe bashkia, që kanë sjellë në ekip futbollistë vërtet cilësorë. Një nga këta është mbrojtësi Elvis Premçi, cili, falë paraqitjes së mirë me Kukësin, ka fituar edhe kombëtaren U-21. Shtatlarti 19vjeçar erdhi tek ekipi i drejtuar nga trajneri Shahin Berberi në verë, pas përvojës me Rubikun në kategorinë e dytë.

Ai ka fituar besimin e trajnerit Berberi për të qenë titullar dhe për këtë i është mirënjohës. Në një prononcim enkas për Sportin shqiptar, Premçi thekson se i është borxhli Kukësit dhe i premton besnikëri edhe sezonin e ardhshëm, kur ky ekip do të jetë në superligë: Me Kukësin po kaloj momente shumë të bukura. Po luaj titullar, edhe pse në repartin ku unë bëj pjesë ka lojtarë cilësorë dhe me përvojë.

Ky aktivizim më ka ndihmuar të bëhem pjesë e ekipit Shpresa, me të cilin luajta në dy ndeshjet e fundit, me Rusinë dhe Portugalinë. Ndihem shumë i vlerësuar dhe për këtë dua të falënderoj trajnerin Shahin Berberi, që më mbështeti dhe inkurajoi, si dhe shokët e ekipit, sidomos të mbrojtjes, Berberin, Renxën, Rexhepin dhe Lilën.

Objektivi im është që të luaj më mirë fazën e dytë dhe të gjithë bashkë të plotësojmë ëndrrën e gjithë kuksianëve për ta ngjitur ekipin në superligë. Kukësi ma ka dhënë shumë dhe dua që edhe unë ti jap sa më shumë, edhe sezonin e ardhshëm në elitën e futbollit shqiptar. Jemi në vend të dytë, falë punës që kemi bërë të gjithë, tha nga Ulqini nëpërmjet linjës telefonike mbrojtësi Premçi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›