Hitaj: Gramozi merr formë javën e ardhshme
Ndihmëstrajneri Sokol Hitaj thekson se stafit teknik i duhet edhe pak kohë për të bërë seleksionimin dhe për të zgjedhur titullarët
Kolonjarët po sfidojnë këto ditë edhe kushtet e vështira atmosferike në përgatitjet për fazën e dytë, pasi duan të kenë një ekip dinjitoz në vazhdim. Trajneri Qirjako dhe ndihmësi i tij Hitaj janë përqendruar te stërvitja, me qëllim konsolidimin e grupit, që do të përballojë 15 ndeshjet e fazës së dytë. Numri 2 i stolit të Gramozit, Sokol Hitaj, i vlerëson pozitivisht zhvillimet e fundit dhe thekson se java e ardhshme do ti japë formë ekipit: Java e ardhshme do të jetë vendimtare për Gramozin.
Gjatë saj ekipi do të marrë formën e plotë në të gjithë drejtimet. Së pari, duam që lojtarët të jenë të fortë fizikisht për fazën e dytë. Javën e ardhshme do të bëjmë edhe llogaritjet taktike në lidhje me afrimet. Për çdo rol do të jenë të gatshëm dy lojtarë, por na duhet edhe pak kohë për të bërë seleksionimin.
Deri tani, 4 janë përforcimet zyrtare, dy brazilianët, portieri Bello dhe sulmuesin Ahmataj. Është siguruar porta, ku gjatë fazës së parë kemi vuajtur shumë, pasi kishim vetëm Dervishin, që është larguar, është shprehur Hitaj.
Repartet Drejtuesit kolonjarë po mendojnë të marrin edhe një lojtar për mbrojtjen, pasi repartet e tjera janë dubluar. Stafi teknik është i qetë për mesfushën, sepse edhe të ardhurit në merkato i përkasin këtij reparti. Përkrah kapitenit Shupe duket se do të jenë shumë emra të rinj. Edhe sulmi duket se është fuqizuar me lojtarë cilësorë.
Shpresoj që gjithçka ta kemi mbyllur brenda javës së ardhshme, për të vendosur më pas për ata që do të përbëjnë formacionin, ka theksuar në fund Hitaj. I vetmi armik i kolonjarëve për momentin mbetet moti, që nuk i lejon lojtarët të kryejnë stërvitje normale. E keqja është se Gramozi nuk ka mundësi të zhvillojë ndeshje miqësore, që janë shumë të nevojshme në këtë periudhë.
