E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasani dhe Tirana përgatiten për Ditën e Verës

Dita e Verës e kthen qytetin e Elbasanit në qendër të gjithë Shqipërisë me këngët, ëmbëlsirat, aktivitetet e ndryshme. Elbasanasve u është kthyer në refleks festimi i kësaj dite, por që janë pothuaj të gjitha qytetet e Shqipërisë që e kanë kthyer datën 14 mars, pra Ditën e Verës në një ditë feste. Veç ballokumeve Dita e Verës në Elbasan do të nisë sivjet

edhe me paradën poetike të Festivalit Poetik Ballkanik Trëndafilat e Elbasanit, në teatrin Skampa. E veçanta e festimeve të Ditës së Verës këtë vit në Elbasan është pjesëmarrja e një grupi të njohur nga Amerika. Mariachi Imperial de America, grupi më i mirë në Huston, Teksas dhe i njohur në programin televiziv Mirëmëngjes Amerikë vjen në Shqipëri për ti prezantuar publikut shqiptar një përvojë të re kulturore. Një gjini e muzikës meksikane, që kombinon traditën spanjolle me instrumentimin, ku Mariachi simbolizon diversitetin e përvojës kulturore amerikane. Mariachi Imperial de America do të japë koncert në datën 14 mars në qendër të qytetit të Elbasanit si pjesë e festimeve të Ditës së Verës. Ardhja e tyre në Shqipëri bëhet e mundur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë. E ndërkohë që dhe në kryeqytete është menduar të zhvillohen aktivitete të ndryshme kulturore dhe artistike. Festa do të fillojë të dielën paradite në qendër të Tiranës në sheshin Skënderbej. Prologu i kësaj feste do të jenë këngët dhe vallet e Ansamblit Tirana. Më pas, akrobatë dhe kllounë nga Cirku i Tiranës do të argëtojnë fëmijët e pranishëm, ndërsa Banda e Qytetit do të fillojë rrugëtimin përgjatë bulevardit Dëshmorët e Kombit. Në shesh, qytetarët do të gjejnë edhe këndin e kulinarisë shtëpiake, gatime tradicionale të zonës, që do të ofrohen për shijim nga një grup amvisash të qytetit të Tiranës, bashkë me recetën e gatimit. Lulishtja Skënderbej do të jetë e gjitha e fëmijëve, që nga mesdita. Nuk do të mungojë muzika, këngët dhe vallet popullore, por i pranishëm do të jetë edhe libri përmes projektit Të lindur për të lexuar. Bulevardi Dëshmorët e Kombit do të kthehet në një panair argëtues, plot me kënde dhe çadra, ku të Rinjtë e Rrjetit Rinor do të krijojnë një atmosferë krijuese dhe gazmore. Një vend të veçantë do të ketë edhe prezantimi i botimeve nga shtëpitë botuese shqiptare. Ndërkohë, duke ecur poshtë në sheshin përpara Piramidës, një kuartet instrumental do të performojë nga ora 12.00 deri në 16.00. Në Parkun Rinia, Bashkia e Tiranës do të instalojë një sistem Karaoke, që i fton të gjithë të bëhen protagonistë të këngës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›