Elbasani ngre “flamurin” në Vlorë

Elbasani, kampioni në fuqi, ariti një fitore të bujshme me Flamurtarin në Vlorë, duke shënuar nga një gol në cdo pjesë loje: Ejanga realizoi në minutën e 30-të, ndërsa Sina dyfishoi rezultatin në të 55'. Kjo ishte fitorja e dytë jashtë fushe e formacionit të Luan Deliut dhe e 45-ta me Flamurtarin në 114 takimet me Flamurtarin (44 fitore të vlonjatëve dhe 25 barazime). Të dy ekipet erdhën në ballafaqimin e javës së 14-të pas fitoreve të lehta të një jave më parë. Flamurtari, vinte pas fitores së "falur" me Apoloninë (2-0) një javë me parë, kishte fituar 3 nga gjashtë takimet e "shtëpisë", ndërsa Elbasani pas fitores me Shkumbinin (2-0). Me premtimin e presidentit Arben Laze, për 1000 dollarë shpërblim për cdo futbollist, lojtarët e Elbasanit e kërkuan fitoren që nga minuta e parë, madje duke sfiduar Flamurtarin vendas të mbeshtetur nga më shumë se 6 mijë tifozë në stadiumin "Flamurtari". Vlonjatët e Eqerem Memushit, kishin deklaruar në media se do të ishin ata fituesit, madje duke bërë edhe paralizma me fitoret ndaj Tiranës dhe Partizanit, dy ekipeve që renditeshin në tri vendet e para. Elbasani ushtroi presion nga minuta e parë e takimit, duke sulmuar vazhdimisht nga krahët. Flamurtari i ndodhur nën mësymjen verdheblu e pati të vështirë të organizohej në mesfushë. Shumë pak kronikë për kuqezinjtë në tridhjetë minutat e para. Në minutën e 30 erdhi dhe goditja e parë e kampionëve në fuqi: nigeriani Anicet Ejanga shfrytëzoi një hapësirë të vogël në zonën vlonjate duke shënuar golin e parë për Elbasanin. Goli i tij i dytë sezonal pas atij të shënuar ndaj Apolonisë (java 8). Flamurtari befasohet. Skuadra vendase rriti përpjekjet por gjyqtari durrsak Idriz Gashi i dha fund pjesës së parë. Dyzetepesë minutat e dyta, rinisin me agresivitetin e vlonjatëve, por kampionët dyfishuan rezultatin me anë të mbrojtësit të njohur Elvis Sina, dhjetë minuta pas fillimit të pjesës së dytë. Flamurtari-Elbasani 0-2. Askush nuk e kishte parashikuar. Tifozët vlonjatë revoltohen. Fyerjet nga gjyqtarit Gashi shtohen në tribuna. Minutat shtesë të takimit shërbyen vetëm për trajnerin e Elbasanit, Luan Deliu, për të bërë tri ndrrimet e mundshme. Minuta e 94-t, mbylli dhe takimin që regjistroi humbjen e katërt në shtëpi të Flamurtarit dhe fitoren tetë të Elbasanit në 14 javë. Minutat pas ndeshjes sollën dhe një reagime të ashpër të ultrasve vlonjatë ndaj gjyqtarëve për humbjen e Flamurtarit në shtëpi. Në javën e ardhshme, Elbasani do të udhëtojë në Krujë, ku përballë do të ketë Kastriotin që arriti një fitore të merituar me Shkumbinin (2-0), ndërsa Flamurtari do të përballet me Teutën në Durrës.
Flamurtari-Elbasani 0-2
0-1 Ejanga Anicet 30', 0-2 Sina 55'
BILANCI MIDIS EKIPEVE: 114 ndeshje; 44 fitore Flamurtari, 25 barazime, 45 fitore Elbasani. Golat: 133-131