Kastrioti, me “galop” drejt gjashtëshes

Një fitore e rëndësishme me një rival direkt për mbijetesë. Kastrioti i Petrit Haxhisë, pas fitores spektakolare me Tiranën në shtëpi regjistroi me Shkumbinin në transfertën e zhvilluar në Lushnjë, fitoren e dytë rresht, pikë që e ngjitën skuadrën krutane në kuotën e 18 pikëve, po aq sa Dinamo e vendit të gjashtë. Shkumbini e përfundoi takimin me nëntë lojtarë, një më pak se Kastrioti që e mbylli takimin me dhjetë veta. Ndëshkuesi i peqinasve ishte Oriand Abazaj, që sezonin e kaluar ishte shpallur golashënuesi më i mirë i Shkumbinit. Abazaj realizoi golin e parë për krutanët në minutën e 7, njëherësh edhe goli i tij i tetë sezonal. Një lojë pa nerv dhe pa mendim nga Shkumbini, në pjesën e dytë më shumë agresiv, por pa arritur të konkretizojë. Takimi u përshkrua nga nota nervozizmi dhe gjyqtari ndërkombëtar Sokol Jareci nxorri tre kartona të kuq: dy për Shkumbinin dhe një për Kastriotin. Kur pritej që takimi të mbyllej vetëm me një gol, Erald Turdiu përfitoi nga një kundërsulm duke dyfishuar rezultatin në minutën e 90-të. Topi goditi shtyllën dhe pushoi në rrjetë, duke mbyllur dhe takimin e katërt historik midis du ekipeve, që tashmë ndodhen në ekuilibër të plotë: nga 1 fitore për cdo ekip dhe dy barazime, por me avantazhin e një goli për krutanët, 3-2. Shkumbini pësoi humbjen e dytë rresht dhe të tetën në 14 javë, ndërsa Kastrioti të pestën në kampionat dhe të dytën në transfertë. Në javën e 15-të, Kastrioti pret kampionin në fuqi, Elbasanin, ndërsa Shkumbini do të udhëtojë në Shkodër kundër Vllaznisë.
Shkumbini-Kastrioti 0-2
0-1 Abazaj 7', 0-2 Turdiu 90'
BILANCI MIDIS EKIPEVE: 4 ndeshje; 1 fitore Shkumbini, 2 barazime, 1 fitore Kastrioti. Golat: 2-3