Elbasani nis festimet, fëmijët çelin siparin e aktiviteteve të Ditës së Verës

Elbasani po bëhet gati të presë Ditën e Verës. Si asnjëherë tjetër Bashkia e ka programuar të zhvillojë një numër të madh aktivitetesh me rastin e festës pagane. Gjatë këtyre ditëve janë parashikuar të mbahen ekspozita, koncerte, festivale, panaire etj. Kryefjala e kremtimeve do të jenë fëmijët. Ishin pikërisht të vegjëlit e kopshteve të Elbasanit që hapën siparin e aktiviteteve të kësaj dite, në aktivitetin “Koncert me këngë e valle dhe mbjellje e luleve”.
Ndërsa iu bashkua aktivitetit të vogëlushëve, kryetari i bashkisë Gledian Llatja ftoi qytetarët dhe miqtë nga mbarë trojet shqiptare të festojnë Ditën e Verës në Elbasan, në vendin e origjinës.
“Elbasani për Ditën e verës bëhet kryeqyteti i Shqipërisë. Një sërë aktivitetesh kemi këtë vitë duke filluar nga fëmijët deri tek aktivitete për të rriturit. Po risjellim traditën dhe kemi një eksperiencë të mirë të ekspozimit të traditave të mira të Elbasanit”, tha Llatja.
Më 14 mars Elbasani kthehet në kryeqytetin e festës pagane dhe pret mijëra miq të ardhur nga mbarë trojet shqiptare.
Gazetar: Marash Mirashi
/rtsh.al/