E Diel, 1 Nëntor 2026

Elbasani plotësohet, stafi i qetë para Adës

Nga Elton Karaj

Mbrojtësi Kacollja është riaftësuar, ndërsa Gava dhe Toçi rikthehen pas grumbullimit me ekipet kombëtare

Elbasani vijon me seriozitet përgatitjet për ndeshjen e radhës, që e ka me Adën në fushën e tij. Seancat stërvitore po zhvillohen në kompleksin “Shefqet Lamçja”, nën drejtimin e dyshes File-Dosti. Futbollistët duken tepër të përkushtuar në çdo seancë, sepse e dinë mirë se vetëm duke punuar shumë mund të arrijnë rezultate pozitive, në funksion të objektivit për kthimin në superligë.

Një lajm i mirë për ekipin verdheblu është riaftësimi i mbrojtësit Mardian Kacollja, i cili pritet të jetë në fushë titullar në ndeshjen e së shtunës, duke formuar dyshen e qendrës me Seksenin, i cili gjithashtu do të jetë i gatshëm për Elbasanin. Ada do të jetë një test shumë i rëndësishëm për verdheblutë, të cilët duhet të mposhtin një ekip që nuk ka pësuar asnjë humbje deri tani.

Gjithashtu, një tjetër lajm i mirë për trajnerin File është rikthimi i dy mesfushorëve, Orgest Gava dhe Mateo Toçi, të dy të angazhuar ditët e fundit me ekipet kombëtare të moshave. Janë dy titullarë me shumë vlera, që do ti japin Elbasanit më shumë cilësi këtë të shtunë. Në këtë situatë, stafi teknik është qetësuar, sepse grupi do të jetë i plotë dhe janë mundësitë për të bërë zgjedhjet më të mira.

E vetmja mungesë është ajo e mbrojtësit Kaçuli, i cili vazhdon të vuajë dënimin prej 5 javësh. Elbasanasit janë të favorizuar për ndeshjen e radhës edhe nga fakti që nuk luajtën të shtunën që shkoi, ndërsa kundërshtari pati një transfertë të vështirë. Duke pasur parasysh të gjitha këto, Elbasani duhet të fitojë me çdo kusht. Gjërat po shkojnë mbarë dhe futbollistëve verdheblu u duhet vetëm përqendrim për të marrë 3 pikët në shtëpi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›