Strati: Gjyqtarët i mohuan pikën Vlorës në Kavajë
Vlorën e mundi gjyqtari Guçe dhe ndihmësit e tij e jo Besa. Ky është përfundimi i drejtuesve vlonjatë pas has humbjes në minutën e fundit në Kavajë. Në kampin vlonjat ka pasur shumë keqardhje për humbjen e pikës në transfertën e së shtunës që shkoi, sepse të gjithë janë të bindur se Vlora meritonte minimalisht barazimin. Goli i shënuar në minutën e fundit nga Besa, sipas zëvendëstrajnerit dhe lojtarit Ermir Strati, ishte i parregullt.
Është për të ardhur keq që një ndeshje futbolli vendoset nga gjyqtarët. Kemi shënuar gol të parët dhe kundërshtari ka barazuar me meritë. Por goli i dytë i shënuar nga ekipi vendës është një fakeqësi për ata, të cilët vendosën ta quajnë të rregullt, pikërisht gjyqtarët e takimit. Nëse ka pamje filmike, do të shihet qartë se goli ishte i parregullt dhe të gjithë do të qeshin me atë vendim për akordim goli.
Nuk kemi asgjë me ekipin kundërshtar, por Vlora në atë takim meritonte të paktën një pikë, për të mos thënë diçka më shumë. Besa është një ekip shumë i mirë dhe kjo dihet, por nuk ka nevojë të ndihmohet në këtë mënyrë nga gjyqtarët. Këta të fundit nuk mund të vendosin fatet e një takimi. Vendimet e tyre kanë qenë gjatë gjithë kohës krejtësisht të pajustifikueshme dhe këtë nuk arrijmë ta kuptojmë.
Duket se gjyqtari kryesor dhe ndihmësit e tij e kishin vendosur që Besa duhej të fitonte dhe kështu ka ndodhur. Për këtë na vjen shumë keq, sepse mundi i një ekipi nuk mund të hidhet poshtë nga gjyqtarët. Ndaj gjyqtarëve të tillë duhet të ketë ndëshkime, sepse ata nuk mund të luajnë me futbollistët në fushë dhe me djersën e tyre, ka theksuar mes të tjerash Strati.
