E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hysi mbetet pa Tovërlanin

Hysi sërish ka mbetur në duart e Fadil Ademit. Ky i fundit do ta udhëheq ekipin bardh e zi të paktën në ndeshjen e së mërkurës kundër Trepçës. Mësohet se Afrim Tovërlani, që mori udhëheqjen e këtij klubi ditë më parë, ka hequr dorë nga ky post për shkak të disa angazhimeve.

Kampioni aktual i Kosovës, Hysi, sipas gjitha gjasave duhet të kërkojë sërish trajner të ri ose t’i besojë Fadil Ademit, pasi strategu Afrim Tovërlani nuk do t’i drejtojë bardh e zinjtë në vazhdim të sezonit.

Tovërlani javën e kaluar ishte emëruar edhe zyrtarisht trajneri i Hysit, me të cilin ekip kishte zhvilluar edhe dy seanca stërvitore. Por, më pas ai nuk është parë më asnjëherë në Merdarë.

Nga e enjtja e kaluar, seancat stërvitore të llapjanëve i ka udhëhequr Fadil Ademi, i cili kishte drejtuar ekipin nga Merdara deri në emërimin e Tovërlanit trajner të ri të ekipit.

Mësohet se Tovërlani, shkaku i angazhimeve për licencën A të FIFA’s, është detyruar të heq dorë nga detyra e trajnerit te Hysi. Express ka provuar ta kontaktojë Tovërlanin, por ka qenë e pamundur pasi ai është i angazhuar rreth shkollimit në Shkup.

Në anën tjetër, Gazeta Express, të martën ka provuar disa herë të kontaktojë edhe me zyrtarë të Hysit, por si zakonisht, ata nuk e kanë hapur telefonin.

Sidoqoftë, një gjë është e sigurt – të mërkurën Fadil Ademi do ta udhëheq skuadrën e Hysit në ndeshjen kundër Trepçës, e cila do të zhvillohet nga ora 15:00 në stadiumin ‘Adem Jashari’.

“Meqenëse unë i kam udhëheq të gjitha seancat stërvitore të skuadrës gjatë gjithë javës, në mungesë të Afrim Tovërlanit, normalisht që unë do ta udhëheq ekipin edhe në Mitrovicë në duel me Trepçën”, ka deklaruar Ademi për Express.

Pas tetë xhirosh të kaluara në Superligë, skuadra e Hysit zë vendin e pestë në renditjen tabelore me vetëm 11 pikë të tubuara, nëntë më pak se Lideri i Superligës, Prishtina, që ka një ndeshje më shumë të zhvilluar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›