E Diel, 1 Nëntor 2026

Elbasani presidenti Laze shkarkon trajnerin Alimehmeti

Vendimi Skuadra renditet e fundit, kthesa pretendohet në vitin 2011

Elbasani e mbyll vitin 2010 në mënyrën më të keqe: me humbje në fushën e Skënderbeut, duke e zgjatur në tri ndeshje radhazi serinë negative në kampionat (disfata e 10 në 16 javë të Kategorisë Superiore), në vendin e fundit në klasifikim, vetëm me 9 pikë të grumbulluara, e tashmë, edhe pa trajner. Dje, presidenti Arben Laze ka marrë vendimin për të shkarkuar nga detyra teknikun Krenar Alimehmeti. Arsyet e dhëna nga numri një i verdhebluve janë rezultatet e dobëta dhe pozicionimi i keq i skuadrës në tabelën e renditjes, kur ka mbaruar gjysma e parë e sezonit. Domosdoshmëria për të zëvendësuar trajnerin, në mënyrë që të kërkohet kthesa menjëherë prej rifillimit të kampionatit në vitin 2011 është marrë së bashku me ortakun Gentian Çërraga. Pavarësisht “divorcit”, Laze ka rezervuar vetëm fjalë të mira për trajnerin. “Alimehmeti meriton respektin maksimal jo vetëm si trajner, por pikë së pari si njeri. Marrëdhëniet tona kanë qenë të shkëlqyera dhe asnjëherë nuk do të mundja të flisja keq për të. Megjithatë, ky është futbolli dhe ndonjëherë përballesh me marrjen e disa vendimeve edhe pse ato mund të jenë kundër dëshirës”, nënvijëzoi drejtuesi i klubit. “Pasi u konsultuam me ortakun Cërraga, vendosëm që është e nevojshme të ndryshojmë drejtuesin e stolit. E falënderojmë Alimehmetin për punën dhe profesionalizmin e tij. Vazhdoj të kem konsideratën më të lartë për Alimehmetin, ndërsa mund të shtoj se ai do të mbetet një mik i qytetit të Elbasanit”.
Gjithsesi, e vërteta është se Alimehmeti ishte problemi (nëse mund të quhet i tillë) më i vogël i Elbasanit gjatë këtij sezoni. Pasi iu hoqën tri pikë nga klasifikimi pas ndëshkimit të FIFA-s për mosshlyerjen e kroatit Darko Periç, klubi është përballur me një krizë të rëndë financiare. Prej mungesës së pagave në muajt e fundit, lojtarët kanë kërcënuar disa herë me bojkot, madje për afro 10 ditë nuk janë stërvitur me skuadrën. Me shkarkimin e Alimehmetit, Elbasani bëhet ekipi i gjashtë elitar që përfshihet në valsin e ndërrimit të trajnerëve, pas Shkumbinit, Besës, Bylisit, Tiranës dhe Vllaznisë. Ai është trajneri i tetë i cili largohet nga detyra.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›