E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festat ne shtepite me shume banore

Aktivitete e dhurata për moshën e tretë dhe shtëpinë “Zyber Hallulli”

Na ndajnë vetëm pak ditë nga nata e madhe e ndërrimit të viteve, ndonëse sot në të gdhirë, të gjithë besimtarët katolikë do të festojnë Krishtlindjet. Kudo ndihet atmosferë e këndshme festive. Të gjitha familjet shqiptare kanë nisur të përgatiten “seriozisht” për t’i uruar mirëseardhjen vitit 2011, me shpresën se do të jetë fatsjellës dhe i mbarë për të gjithë. E megjithatë ky emocion nuk ndihet vetëm në ambientet e ngushta familjare, por edhe në ambientet e brendshme të shtëpisë së fëmijës “Zyber Hallulli”. Ndonëse muret e jashtme të saj duken të ftohta, teksa shkel pragun e brendshëm të saj, gjithçka është ndryshe. Brenda saj ka kudo zbukurime, drita dhe vizatime shumëngjyrëshe, të përgatitura me shumë kujdes nga fëmijët, stafi i kujdestarëve, por edhe vetë drejtoresha, ose siç e thërrasin ndryshe fëmijët, mamaja më e mirë në botë.

“Në qendrën tonë, aktivitetet kanë nisur që më datë 15 dhjetor dhe do të vijojnë deri më datë 31, mbrëmjen e Vitit të Ri. Jemi kujdesur që gjithçka të jetë perfekt, ashtu siç do dëshironin t’i kalonin festat në shtëpitë e tyre. Ndonëse të gjitha familjet përpiqen t’u plotësojnë gjithçka fëmijëve të tyre në këto ditë speciale, ne kemi një detyrë më shumë. Ne duam që fëmijëve të mos u mungojë asgjë për asnjë arsye në botë, sepse jemi të vetëdijshëm që zemrat e tyre nuk janë si ato të bashkëmoshatarëve të tyre”, thotë drejtoresha e shtëpisë së fëmijës “Zyber Hallulli”, Drita Mandreja. Ajo tregon se duke nisur nga sot, aktivitetet, koncertet apo organizimet në kuadër të festave do të jenë të shumta dhe të përcaktuara sipas orareve të ndryshme që nuk do të mungojnë gjatë këtyre ditëve. Drekat festive, por edhe dhuratat nga personalitete të njohura, donatorë apo institucionet shtetërore do të jenë prezente deri më datë 31 dhjetor 2010.

Shtëpitë e të moshuarve

Në qendrat e posaçme ku jetojnë të moshuarit që për arsye të ndryshme nuk kanë strehim, pritet të organizohen gjatë ditëve në vijim aktivitete, për t’u dhuruar atyre atmosferën festive që do të dëshironin të ndjenin pranë të afërmve. Zakonisht për çdo vit, gjatë kësaj periudhe, shoqatat e ndryshme, organizatat OJF apo edhe qytetarë të thjeshtë përgatisin dreka apo darka për t’i bërë ata të mos ndihen të vetmuar e për të sjellë sadopak atmosferën e festave. Në raste të tilla nuk kanë munguar as dhuratat e ndryshme, si për të lehtësuar sadopak vuajtjet shpirtërore apo fizike.

Personeli mjekësor

Ndonëse më datë 31 dhjetor, shumica janë pushim, punonjësit e shëndetësisë do të jenë në punë. Personeli mjekësor e ai teknik, mbështetës, të cilëve do t’u takojë të punojnë turni i tretë, do t’ju duhet ta festojnë mbrëmjen e Vitit të Ri me pacientët.

Mjekë, infermier e pacientë do tu duhet që sëbashku të kalojnë natën e ndërrimit të viteve. Parashikohet ashtu si çdo vit të ketë pacientët, që për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore të qëndrojnë në spital e mos të shkojnë pranë familjes.

Megjithatë, për çdo vit ndodh që familjarë apo qytetarë jo publik, të panjohur, të shtrojnë ndonjë drekë apo darkë posaçërisht për ta.

Zyrtarisht Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka sqaruar se do të jetë natën e vitit të ri një staf i plotë specialistësh që do të qëndrojnë në gjendje gatishmërie. Konkretisht urgjenca e kardiologjisë, kirurgjisë, infektivit, djegie-plastikës, si çdo vit do të presin pacientët e sëmurë, të aksidentuar, të djegur, e rastet e urgjencave.

Nxënësit dhe studentët

Të rinjtë që ndjekin aktualisht arsimin parauniversitar apo atë të lartë kanë e nisur periudhën e pushimeve tre ditë më parë.

Në radhët e studentëve numërohet një numër i konsiderueshëm që kanë përzgjedhur ta kalojnë natën e Vitit të Ri në ato qytete të Shqipërisë ku pritet të bjerë dëborë. Nga ana tjetër pjesa më e madhe e studentëve, kanë mbyllur dyert e dhomave të konvikteve duke preferuar që darkën e madhe të Vitit të Ri ta kalojnë me të afërmit, ndërsa pas orës 00:00 të datës 31 të dalin me moshatarët.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›