Elbasani rrezikon të humbasë shumicën e titullarëve
Pritet vetëm zyrtarizimi i largimit të shumë lojtarëve, përveç atyre që janë nën kontratë me klubin verdheblu, ku bëjnë pjesë të rinjtë vendës
Verdheblutë janë në udhëkryq për momentin. U duk se gjërat do të shkonin mirë, kur presidenti Arben Laze emëroi Skerdi Bejzaden në rolin e drejtorit teknik, por çdo gjë mbeti aty. Nuk është ende e qartë se cili do të jetë trajneri i skuadrës elbasanase, megjithëse nga ana e presidencës është konfirmuar trajneri i sezonit të fundit, Ilirjan File.
Ditët në vazhdim do të jenë të rëndësishme përsa i takon telenovelës së stolit të Elbasanit, por ky nuk është i vetmi problem për këtë skuadër. E keqja tjetër është se shumë lojtarë pritet të largohen nga verdheblutë.
Madje, shumica e tyre shprehen të indinjuar në lidhje me atë që po u ndodh aktualisht me Elbasanin, sepse nuk janë shlyer financiarisht nga drejtuesit e këtij klubi. Nuk është e vështirë të kuptohet në këtë situatë se lojtarët janë vënë në kërkim të një skuadre të re për sezonin e ardhshëm.
Dhe kjo do të thotë se Elbasani do ta ketë shumë të vështirë për ta filluar normalisht sezonin e ri dhe për më tepër të pretendojë kthimin në Superligë. Shumë lojtarëve u ka përfunduar kontrata me verdheblutë dhe janë duke studiuar ndonjë ofertë që kanë marrë deri tani.
Largimi i shumë titullarëve pritet vetëm të zyrtarizohet gjatë ditëve të ardhshme, kështu që drejtuesit e Elbasanit mund të hasin në një situatë të paparashikuar. Këta të fundit janë shprehur se nuk do të largohet asnjë nga lojtarët që janë nën kontratë, ku bëjnë pjesë Gava, Kaçuli, Ibrahimi apo edhe të rinjtë Musta, Tafani, portieri Ruçi e ndonjë tjetër.
Këta lojtarë me shumë mundësi do të jenë sërish pjesë e Elbasanit edhe për sezonin që vjen, duke parë se drejtuesit verdheblu kanë vendosur të investojnë më shumë për të rinjtë.Tek ata pritet të bazohet skuadra e sezonit të ardhshëm, duke parë paraqitjen e mirë që të rinjtë bënë kampionatin që lamë pas, por kaq nuk mjafton për të realizuar një objektiv madhor.
Në fakt, edhe për Gavën ka një mundësi largimi, por bëhet fjalë për një transferim të tij në një skuadër gjermane. Nëse nuk ndodh kështu, mesfushori elbasanas do të qëndrojë te skuadra e qytetit të tij.
